Shefi i Grupit Parlamentare të PDK-së, Abelard Tahiri i ka reaguar LVV-së, e cila ka kritikuar opozitën për numrin e ligjeve që po i dërgon në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, LVV-së e cila bënte opozitë me tym e flakë, me gurë e gaz, nuk po ju pëlqen opozita e tyre me rrugë institucionale.
“Vetëvendosja, pasi ka dështuar në qeverisje në këto tri vjet, paska filluar të mbajë ligjërata koti se si bëhet opozita. Atyre që kanë bërë opozitë me tym e flakë, me gurë e gaz, nuk po ju pëlqeka opozita jonë me rrugë institucionale, opozita jonë duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e tyre të mbrapshta. Ata frikësohen nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria prandaj janë në panik”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka thënë se në vend që t’i mbajnë ligjërata opozitës, “Vetëvendosja duhet ta braktis vetë rrugën e qeverisjes korruptive dhe të dëmshme, pasojat e të cilës sot po i vërejmë me inflacionin dhe varfërimin e qytetarëve dhe nesër do t’i vërejmë edhe më qartë me ikjen masive të qytetarëve nga keqqeverisja e tyre”./Teve.info/
Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se opozita po shfrytëzon Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar reformat e tyre.