Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që nga rendi i ditës së Kuvendit të hiqet pika që lidhet me rekomandimin për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Tahiri ka argumentuar se kjo çështje nuk është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe se, sipas tij, nuk janë përmbushur procedurat e nevojshme për t’u trajtuar në seancë.
Ai ka bërë të ditur se përmes nënkryetares së parë të Komisionit për Administratë Publike i është dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me kërkesën që kjo pikë të shtyhet dhe të diskutohet fillimisht në Kryesi.
“Ne kërkojmë që pika e 10-të e rendit të ditës, që lidhet me rekomandimin për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, të shtyhet, për shkak se duhet ta diskutojmë këtë çështje në Kryesi”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka pretenduar se në mbledhjen e Kryesisë kjo çështje nuk ka qenë në rend dite dhe se, sipas tij, mungon edhe raporti vlerësues dhe analiza përkatëse.
“Në mbledhje as nuk ka qenë në rend të ditës, as nuk ka një raport vlerësues, as nuk ka një analizë. I kanë edhe dhjetë muaj. Debati ka qenë politik”, ka thënë Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka paralajmëruar se, nëse çështja trajtohet pa respektimin e procedurave, do të detyrohen ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne do të detyrohemi që këtë çështje ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese në mungesë procedure. Për këtë arsye, para se të vendoset në seancë pika e 10-të, kërkojmë largimin e kësaj pike dhe diskutimin e saj në Kryesi të hënën”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërkohë, pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që tri marrëveshje ndërkombëtare të përfshihen në rendin e ditës para pikës që lidhet me ndarjet buxhetore.







