Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Pietro Spera, ka reaguar ndaj ftesës së kryetares së Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, Fatmire Kollçaku duke theksuar se mandati i tij nuk i lejon të ndërhyjë në çështjet gjyqësore që janë në shqyrtim para Speciales.
Në përgjigjen drejtuar deputetes Kollçaku, Spera ka konfirmuar pranimin e ftesës për t’u paraqitur para Komisionit Parlamentar dhe për të diskutuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rastet që lidhen me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën.
Megjithatë, ai ka rikujtuar se, sipas Rregullës 29(1) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në çështjet apo procedurat ligjore para Dhomave të Specializuara, përveç rasteve të vonesave të paarsyeshme.
Spera ka bërë të ditur se në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, afati për paraqitjen e njoftimeve të apelit përfundon më 27 nëntor 2026. Ndërkaq, në rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, procedurat gjyqësore kanë përfunduar, ndërsa Gjykata Kushtetuese e Speciales nuk kishte konstatuar shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Çdo person i paraburgosur ka mundësinë të takohet personalisht me mua, në mënyrë private dhe konfidenciale, gjatë inspektimeve të mia. Përveç kësaj, unë jam në dispozicion për t’u takuar me ta në çdo kohë, qoftë personalisht apo përmes një telefonate të sigurt me video. Si rezultat i inspektimeve të mia, vazhdoj të jem i bindur se kushtet në Objektet e Paraburgimit të KSC-së ruhen në standardet më të larta dhe se kushtet e paraburgimit janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht për trajtimin e personave të cilëve u është hequr liria”, shkruhet ndër të tjera në letrën e publikuar.









