Politologia, Arta Tahiri-Beqa ka shprehur skepticizëm për takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kryetarët e partive opozitare lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Tahiri-Beqa ka vlerësuar se këto takime janë kryesisht formale dhe të thirrura për imazh mediatik dhe politik, jo për të prodhuar rezultate konkrete.
Ajo ka theksuar se deklaratat e Kurtit dhe liderëve opozitarë pas takimeve nuk tregojnë për një angazhim serioz.
“Besoj që, nëse këto takime merren seriozisht për tre javë, mund të prodhojnë diçka, edhe pse nuk duhet të presim që të kapet momentumi i përfundimit të afatit prej 34 ditësh që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, presim edhe një takim tjetër me PDK-në për të parë se cilat mund të jenë mekanizmat apo matematikat politike për të realizuar këtë qëllim. Ajo që unë shoh më së shumti me skepticizëm është se këto takime janë kryesisht formale, të thirrura për imazh mediatik dhe politik, dhe jo për të prodhuar diçka konkrete. Deklarimet se dikur 80 ose 81 vota kanë qenë të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit tani flasin për një matematikë më të lartë dhe të paqëndrueshme. Sinqerisht, edhe vetë kryeministri aktual thotë se nuk i mjaftojnë 81 vota, kur Kushtetuta thotë se mjaftojnë 81 vota prezent dhe 61 vota pro në raundin e tretë për të zgjedhur presidentin, dhe ai flet për 83 ose 84 vota”, ka thënë Tahiri-Beqa.
Ajo ka shtuar se këto takime nuk po japin rezultate konkrete dhe rrezikojnë që vendi të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme, një situatë që ajo e konsideron “fatkeqësi për Kosovën”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, janë takuar të hënën për të diskutuar për çështjen e presidentit të vendit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
Takimi është zhvilluar pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill.
Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.








