Në veri të Kosovës, banda të caktuara të kriminale synojnë ta destabilizojnë vendin. Gjatë muajit prill, Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri dhe granata dore, teksa po bartnin kolegët e tyre në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë. Fatmirësisht policët nuk pësuan lëndime nga sulmet që erdhën në drejtim të tyre.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, këto akte i cilësoi si sulme terroriste për ta frikësuar policinë e Kosovës.
Dramat në veri të vendit do të vazhdonin, edhe në muajt vijim. Me datën 31 korrik, u lëshuan alarme ne pjesë veriore të Mitrovicës, për shkak se një pjesë serbëve nuk u pajtuan me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masat e reciprocitetit në letërnjoftime dhe targa.
Edhe sot e kësaj dite akoma nuk dihet se kush fshihet pas aktivizimit të alarmeve, e që i terrorizuan qytetarët.
E përveç aktivizimit të alarmeve u bllokuan edhe dy pikat kufitare Jarinje e Bernjak, me mjete të rënda. Në të dy pikat qëndronin me orë të tëra serbët lokal.
Sikurse njësitet policore të Kosovës, edhe ata ndërroheshin me grupe të ndryshme pas mesnate.
Një tjetër grup kriminal që vepron në atë pjesë, është e ashtuquajtura “Banda e Veriut”. Emri i kësaj bande shihet përmes grafiteve të ndryshme në Mitrovicë, ku bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës.
Këto grupe janë të influencuara edhe nga Rusia. Kështu ka deklaruar për tëvë1, politikani socialdemokrat, Nenad Çanak, i cili ka komentuar protestën e fundit të serbëve në veri të vendit.
“I gjithë aktiviteti është organizuar nga shërbimi rus dhe pjesë të shërbimit serb. Qëllimi i protestës ishte ta largojë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga Ukraina. Kremlini është i gatshëm të fillojë çdo luftë në Ballkan vetëm për të dobësuar vëmendjen e Perëndimit, dhe kjo po synohet të bëhet në pikat e nxehta, siç janë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Herzegovina. Gjithçka që u pa në atë protestë ishte një shfaqje dhe një kërcënim me armë bosh”, ka thënë Çanak.
Edhe qytetarët e rëndomtë serb në veri, ndjehen të rrezikuar nga grupet kriminale. Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, me 7 nëntor ka komentuar dorëheqjet e policëve serb nga detyra zyrtare.
Sipas Sveçles këto dorëheqje kanë ardhur për shkak se ata janë ndjerë të shantazhuar nga grupet kriminale.
Tutje, disa nga banorët lokal serb të cilët kanë vendosur ti zëvendësojnë targat e tyre në RKS, iu është djegur makina.
Ndërkaq edhe Profesori nga Johns Hopkins University, Daniel Serwer nuk e përjashton mundësinë që mund të të ketë trazira në të ardhmen.
“Dominimi i etno-nacionalistëve dhe kriminelëve atje në Mitrovicën e Veriut, mund të krijoj trazira. Në këto momente nuk po ka asnjë kuptim procesi i dialogut”, ka thënë Serwer.
E në anën tjetër, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar të pranoj se në Veri të Mitrovicës ka banda kriminale që synojnë ta destabilizojnë Kosovën.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdonin edhe përgjatë muajit dhjetor. Disa nga grupet kriminale që veprojnë në veri të Mitrovicës ngritën serish barrikada duke i bllokuar rrugët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
E përveç bllokimit të rrugëve, persona te maskuar hidhnin mjetet shpërthyese, duke krijuar frike dhe ankth tek banorët.
Lidhur me këto shpërthime u arrestua ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, deklaroi se Pantiq ka organizuar sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, ku gjithashtu ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.
Edhe gazetarët të cilët po raportonin nga Veriu i Mitrovicës, ishin cak i sulmeve nga grupet kriminale.
E përveç gazetarëve u sulmuan edhe forcat e EULEX-it dhe të KFOR-it.
Këto sulme në drejtim të forcave të EULEX-it i dënoi shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell.
Ndërkohë, me dhjetëra serbe nga organizata te dyshimta sikurse ajo e ashtuquajtura “Atdhetarët serbë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika serbe” u afruan afër pikës kufitare në Jarinje që lidhë Kosovën me Serbinë.
Megjithatë ata u ndaluan nga KFOR-i amerikan që rrethuan kufirin me tela me gjemba.
Rruga për qarkullim u bllokua edhe në Merdare, ku shumë shqiptarë të cilët planifikonin të vinin në Kosovës iu pamundësua kalimi shkaku i barrikadave.
Ndërkaq reagime të mëdha në opinion publik ngjalli pikërisht lirimi i ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, ne masën e arrestit shtëpiak.
Kryeministri Kurti, u shpreh shumë kureshtar ta dinte se kush ishte prokurori që kishte kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak e cili ishte gjyqtari që e ka aprovuar, meqë Dejan Pantiq akuzohej për terrorizëm.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Shtetet Bashkuara të Amerikës, njoftuan se janë duke punuar ngushtë me dy liderët shtetëror që të arrihet një marrëveshje në mënyrë që të qetësohet situata në veriun e Kosovës.
Kronika e gazetarit Shpat Blakçori.