Ish Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sulejman Selimi dhe ish-ushtari i UÇK-së, Jahir Demaku, janë liruar nga akuza për krime lufte ndaj popullatës civile, raporton teve1.info
Sipas aktakuzës, gjatë gjithë kohës relevante për këtë aktakuzë të pandehuri në cilësinë e tyre si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e dy personave të paidentifikuar nga lagjja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme. Në Likovc (Komuna e Skenderajt), në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të vitit 2015, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar me tetë vjet burg, Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës.
Bashkë me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku ishin dënuar me nga shtatë vjet burg, ndërsa me tri vjet burg ishte dënuar Nexhat Demaku.
Me nga tre vjet burgim ishin dënuar edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.
Në shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit duke vendosur lidhur me ankesat e të akuzuarve kishte nxjerrë aktgjykim, duke vërtetuar në masë të madhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Mitrovicë.
Mirëpo, Gjykata e Apelit i kishte zbutur dënimin me një vit burg Sylejman Selimit.
Gjykata Supreme në korrik të 2017-ës kishte refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e të dënuarve, mirëpo, Gjykata Kushtetuese në qershor të 2018-të, e kishte kthyer rastin në rishqyrtim Gjykatës Supreme.
E Gjykata Supreme, sërish kishte vendosur të refuzoj kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga ana mbrojtësve të të dënuarve.