Futbollisti më i ri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Lutfi Dalipi po e vazhdon shkëlqimin e tij në kampionatin zviceran.
Dalipi javë më parë vendosi ta përfaqësojë Kosovën në nivel ndërkombëtar, ndërsa është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në Zvicër.
Sajti i specializuar “SofaScore” i ka bërë vend Dalipin në 11-shen e xhiros së 14-të, ku sulmuesi është shqiptari i vetëm në formacion.
Dalipi është vlerësuar me notën 8.9 për paraqitjen e tij në barazimin e Vaduzit 2:2 ndaj Lausanne-Sport, ndeshje në të cilën shënoi një gol.
20-vjeçari që është i huazuar te Vaduzi nga Young Boysi, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2030 po kërkohet nga shumë skuadra evropiane.
Ai ka 7 gola e 9 asistime në 17 paraqitje për Vaduzin këtë sezon në të gjitha garat kurse me fanellën e Kosovës do të debutojë vitin e ardhshëm.










