Të hënën në Shkup pritet të ketë protestë masive.
Kjo pasi studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po u pamundësohet mbajtja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ndonëse për katër vite, studimet i kryen në gjuhën e tyre amtare.
Pikërisht pasi që nuk gjetën zgjidhje për dy vjet, kjo po i shtyn ata drejt protestës.
“Ka dy vite që jemi duke kërkuar zgjidhje. Para dy vitesh nuk morëm përgjigje, do të thotë gjatë kësaj periudhe nuk kemi marr përgjigje nga ministri. Por, para tre-katër muajve dorëzuam peticionin tonë me 385 nënshkrime tek ministri i drejtësisë. Edhe më në fund morëm përgjigje prej atij. Përgjigjia ishte negative”, tha studenti, Mevlan Ademi.
Mosmbajtja e këtij provimi, sipas iniciatorit të kësaj proteste, ka minuar shqiptarë në institucionet maqedonase.
“Ka shumë e kanë kry juridikun, drejtësinë në fakultet po nuk i janë nënshtru provimit të jurisprudencës shkaku i gjuhës në të cilën mbahet ai. Edhe kjo minon atë faktorin shqiptar në institucionet tona”, tha Ademi.
E në rast se problemi nuk zgjidhet, studenti i Juridikut thotë se nuk do të ndalen vetëm me këtë protestë.
“Nuk besoj që do e lëmë me kaq. Nëse përsëri do të hasim në vesh të shurdhër nga ana e ministrit të Drejtësisë detyrimisht që do të jemi aty”.
Ndërkohë ka një thirrje për të gjithë kosovarët.
“…sot mund të bëjë ftesën për bashkatdhetarët tanë që janë në Kosovë. Ata të cilët kur ata kishin nevojë, prindërit tanë u nisën për protestën studentore para 45 viteve”.
Protesta pritet të mbahet të hënën e 6 prillit nga ora 12:30.






