Në vitin 1998, një snajperist amerikan vendosi t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u vendos në brigadën 138 nën urdhrat e komandantit, Agim Ramadani në Koshare, ku edhe u shndërrua në tmerr për forcat serbe. Në 25 vjetorin e kësaj beteje, Majk Speth rrëfyer ekskluzivisht për Tëvë1, rrëfimin e tij për betejën ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.
Në Koshare, shqiptarët e njihnin si Frank.
Por, ushtarët serbë, më të u njoftuan përmes snajperit që ai e përdori kundër tyre në Koshare.
Është ky Mike Spath, që Brigadës 138 “Agim Ramadani” iu bashkua në vitin 1998.
25 vjet pas kësaj beteje, Mike Spath, ka zbuluar për Tëvë1, se si vendosi t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky thotë se me ushtrinë amerikane, kishte mbaruar punë në vitin 1994.
Por, më pas, u kontaktua nga disa njerëz, për luftën e Kosovës.
“I dëgjova, dhe në fund, thashë “”mjaft kam pasur punë me luftëra”, Por ata vazhdonin e vazhdonin. Dhe nëse i dëgjonit lajmet atëherë, ishte e qartë se diçka do të ndodhte dhe unë bëra zgjidhjen time në vitin 1998. Ju thashë që do “ju bashkohem juve, ta bëjmë më të mirën që mundemi.” Ndërsa krejt çfarë kisha ishte një hartë. Një biletë treni, dhe…. shkojmë!”, tha snajperisti Mike Spath.
Kështu, Mike Spath mori rrugën për në malet e Koshares.
Ndërsa këtu, fillimisht u vendos nën urdhrat e komandantit, Hisen Berisha.
“Kur erdha në Koshare së pari, komandanti im i parë ishte Hisen Berisha. Atëherë ishte major, u pensionua si gjeneral. Të gjithë e dinë që tash është në parlament me PDK-në. Ai është njeri i mirë. Më tha “bëj çfarë duhet të bësh.” Dhe bëra cfarë më tha. Ndërsa, Agim Ramdanin e kam takuar vetëm një herë. Por isha i inatosur. Nuk e dija pozitën e tij atëherë. Ai më përcaktoi një djalë që po luante me granata dore. Thosha në vete “Ç’dreqin po bën ai?” Ai më thotë “po vjen me ty.” Më thotë që ky djali do të vinte me mua në skuadër. Unë thashë jo, nuk dua njerëz në skuadrën time. Ai filloi të më inatoste, më falni që po them kështu. Thashë që do të vras këtë djalë që po luante me granata nëse nuk shkon. Ai erdhi, “Jo, jo, Majk, jo, mos e vrit. Vetëm qetësohu.” Pra kështu e takova atë. Salih Çekajn dhe familjen e tij tashmë i kisha takuar në Gjermani”, u shpreh Spath.
Në 25 vjetorin e kësaj beteje, Mike thotë se në radhët e UÇK-së, pa diçka që nuk e kishte parë kund në botë.
“Kur kujtohem, të gjithë ishin bashkë, nuk kishte politikë në front. Nuk kishte individë, ishte ekip, ishim familje. Kjo ishte pjesa më e mirë që nuk e shoh sot më as në SHBA. Nuk keni diçka të tillë. Ishte familje, të gjithë ishin aty për njëri-tjetrin, kur flije, haje.. Dhe kjo është pjesa ku Agim Ramadani e Salih Çekaj bënë punë fantastike. Kishte njerëz, pranonin njerëz dhe i motivonin ata. Ishte një angazhim i përbashkët në misionin e vetëm – çlirimin e Kosovës”, deklaroi Spath.
Ndryshe nga kosovarët, tmerrin nga ish-snajpersiti amerikan, e panë forcat serbe.
Mike Spath heziton të flas për sukseset e tija në betejë.
Megjithatë, në fund pranon t’i ndajë disa informacione me Tëvë1.
“Nuk është që s’mund të flasim për disa gjëra, por kërkohet që disa informacione të mbahen si të klasifikuara. Pra, kurrë nuk tregoni sa apo si. Problemi më i madh që e kisha, ishte me rusët. Për dy javë ata shkuan para dhe prapa me pozicionime. Njerëzit e Arkanit ishin infiltruar në zonën tonë. Por, snajperi kishte sukses. Tentime për të manovruar snajperistët tjerë, misione të fshehta të snajperistëve e që ishte pjesa më e vështirë. Për shembull kur serbët provuan të sulmojnë bazën tonë. Ata provuan të qëllonin Fisnikun. Fisniku mendonte që ishin bletët, dhe po bënte kështu me duar. E hodha poshtë dhe kuptohet, fillova që gjuaja drejt tyre. Nuk e di a është e vërtetë apo jo, a ishte larg, apo ishte gjuajtje me fat dhe dikush tha që e qëllova”, ka treguar ai.
Në këtë betejë, Mike Spath, mori edhe plagët nga të cilat, për momentin po kurohet në Berlin të Gjermanisë.
Por, pavarësisht kësaj, thotë se nuk do të ndryshonte asgjë në jetën e tij.
“Sigurisht që vuani nga to, janë gërvishtje. Janë copëza që mbeten brenda juve. Nuk përmirësohen kur plakesh. Vetëm duhet të jetosh me to. Por, askush nuk më vendosi armën në kokë dhe të më thoshte “bëje.” Në Kosovë, ndihem shkëlqyeshëm. Është e vetmja luftë që kishte kuptim. Mendojeni, kishte 8 vite luftë në Ballkan, para Kosovës, dhe tash në fund mbaroi. Pra ne përfunduam 8, ose 10 vite në tërësi të luftës në Ballkan. Ne futëm presidentin e Serbisë në burg, Millosheviçin, me veprimet tona. Nuk e di pse nuk ishte bërë më herët, Por ne e përfunduam. Mbaroi me UÇK-në dhe NATO-n. Mbaroi me Kosharën, Nëse shihni filmat çfarë thonë serbët, ishin të dëshpëruar, e quanin Vietnam”, ka rrëfyer snajperisti.
Beteja e Koshares, filloi me 9 prill ndërsa përfundoi me 10 qershor.
Ndërsa njihet se një ndër betejat më të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.