TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Skandali nuk është fjala e Ferit Hoxhës

by tëvë1
1 orë ago
0
A A
Skandali nuk është fjala e Ferit Hoxhës

Çfarë shkroi Nova Makedonija, dhe pse askush nuk e lexoi

Albatros Rexhaj (Tiranë)

 

Le ta supozojmë, për një moment, që screenshots e publikuara nga deputeti Belind Këlliçi janë autentike. Le t’i lëmë mënjanë mospërputhjet e dukshme në vulat kohore mes postimit të parë dhe atij të dytë. Le ta lëmë mënjanë diskutimin nëse “grupi i Ambasadorëve” ekziston siç pretendohet. Le ta marrim mesazhin ashtu siç është paraqitur, dhe le ta lexojmë jo si fjalë të një ministri ndaj një populli, por si fjalë të një ministri ndaj një inerci politike që e ka dëshpëruar.

Sepse nëse mesazhi është autentik, ai nuk ka dalë nga hiçi. Ai ka pasur një shkak. Dhe shkaku është teksti që ambasadori shqiptar në Shkup, Denion Mejdani, kishte sapo postuar në grup: analiza e Nova Makedonija e datës 16 prill, e nënshkruar nga “NM,” e cila titullohet “Bie edhe një maskë tjetër nga ambiciet kolektive të Platformës së Tiranës.”

Ky është dokumenti që duhej të ishte në qendër të skandalit. Ky është dokumenti që Belind Këlliçi nuk e ka lexuar.

Çfarë shkruan Nova Makedonija

Dhe ja çfarë shkruan ky tekst, që asnjë nga akuzuesit e Hoxhës nuk e ka cituar, nuk e ka diskutuar, nuk e ka prekur as me një fjali të vetme në katër ditët që kanë kaluar.

Shkruan se Edi Rama dhe Ali Ahmeti, në një mënyrë të koordinuar, po përpiqen të rikthejnë “Platformën e Tiranës” të vitit 2017 si bazë veprimi kundër rendit kushtetues të Maqedonisë. Shkruan se deklarata e Ramës që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popull shtetformues përbën, citoj, “një sfidim të sovranitetit dhe integritetit territorial të një shteti tjetër.” Shkruan se kjo është një “presion për dualizëm kushtetues,” një tentativë për ta kthyer Maqedoninë në “një federatë dykantonale, territorialisht të riorganizuar.”

Që të mos lihet asnjë mëdyshje, autori thërret në ndihmë Agnia Grigas, eksperten e Atlantic Council, për ta paketuar tezën si “paralajmërim europian.” E mbyll tekstin duke shtuar Sali Berishën si dëshmitar moral, me citimin e tij që Edi Rama është “armiku më i tërbuar dhe më brutal i kombit shqiptar pas Enver Hoxhës.”

Le të ndalemi këtu, sepse pikërisht këtu duhet ndalur. Një gazetë e Shkupit, që fshihet pas inicialesh, citon udhëheqësin e opozitës shqiptare për të dëshmuar se kryeministri shqiptar është rrezik për kombin shqiptar. Kjo është arkitektura e tekstit. Kjo është substanca që Mejdani po ia paraqiste ministrit. Kjo është substanca që, sipas screenshots-it të Këlliçit, e shtyu Hoxhën të reagonte.

Pse Rama është objekt, jo subjekt

Edi Rama, në këtë tekst, nuk është subjekt politik. Ai është objekt. Është mjeti me të cilin ndërtohet një narrativë anti-shqiptare që ka funksione të tjera, në kohë të tjera.

Sepse fakti është ky, dhe është fakt që mund të kontrollohet pa paragjykim. Shqipëria, prej dekadash, ka ndjekur ndaj fqinjëve të saj politikën më dashamirëse që ndonjë shtet i vogël ka mundur të ndjekë në këtë rajon. Ka qëndruar e përmbajtur ndaj shteteve që historikisht kanë kryer krime kundër shqiptarëve. Ka mbështetur formate rajonale ku partneri i parë ka qenë Beogradi. Ka pranuar kosto politike të brendshme për t’i mbajtur kanalet e dialogut të hapura. Vetëm dikush në keqbesim të skajshëm, ose dikush që nuk e ka lexuar fare çfarë ka thënë Tirana zyrtare në njëzet vitet e fundit, mund ta akuzojë Edi Ramën sot për nacionalizëm primitiv ose për, citoj, “skenarë të ëndërruar prej një shekulli e gjysmë.”

Çështja, pra, nuk është Rama. Çështja janë ata që kanë nevojë për një Rama të tillë.

Dhe ata janë nacionalistët maqedonas që fshihen pas inicialesh dhe pas portaleve si Nova Makedonija. Nuk është një problem retorik. Është një problem politik. Ata e kanë të pamundur ta pranojnë shqiptarin si të barabartë në Maqedoninë e Veriut. Kjo është thelbi. Çdo gjë tjetër ndodh sepse kjo nuk pranohet.

Dhe veprimet e tyre konkrete e dëshmojnë këtë jo në fjalët, por në politikat. Heqja e Mekanizmit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese. Sulmet ligjore ndaj Ligjit të Gjuhëve të vitit 2019. Përjashtimi i juristëve shqiptarë nga provimi i jurisprudencës. Mosrespektimi sistematik i kuotave të punësimit, i ilustruar nga rasti i ministres së Arsimit Vesna Janevska. Heshtja e qëllimshme mbi standardet e Marrëveshjes së Ohrit. Çmontimi i ngadaltë i kësaj marrëveshjeje nuk është teori. Është realitet që ndodh shkronjë për shkronjë, paragraf për paragraf, ditë për ditë.

Çfarë përmban “Platforma e Tiranës” që po e demonizojnë

Dhe tani duhet ta hapim mirë këtë çështje, sepse Nova Makedonija nuk i fshehu pikat. Vetë teksti i renditi ato. Vetë teksti pretendoi se ato janë rrezik për shtetin maqedonas. E lejuam atë formulim të kalojë pa u prekur për nëntë vjet. Por le ta lexojmë sot, fjali për fjali, çfarë konkretisht përmban kjo “platformë” që u prezantohet maqedonasve si komplot kundër rendit kushtetues.

Pika e parë: zbatimi i drejtë i parimit të shumetnicitetit në Kushtetutë, ku shqiptarët trajtohen si komb shtetformues. Çfarë ka të diskutueshme këtu? Maqedonia është shtet me dy popuj kryesorë konstituivë. Kjo nuk është platformë. Kjo është realitet demografik, juridik, dhe historik.

Pika e dytë: barazia e plotë gjuhësore. Përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes. Garantimi i zbatimit të saj si e drejtë themelore kushtetuese. Çfarë ka të diskutueshme këtu? Marrëveshja e Ohrit e ka parashikuar këtë. Ligji i Gjuhëve i vitit 2019 e ka kodifikuar këtë. Studentët shqiptarë të juridikut që protestuan në Shkup në prill po kërkonin pikërisht këtë. Pra, çfarë saktësisht është “kërcënimi” këtu, përveç realizimit të një të drejte tashmë të garantuar?

Pika e tretë: një diskutim i hapur për flamurin, himnin, dhe stemën e shtetit, që simbolet shtetërore të reflektojnë shumetnicitetin. Çfarë ka të diskutueshme këtu? Kjo është praktikë normale në çdo shtet shumetnik europian. Diskutimi nuk është agresion. Mungesa e diskutimit është agresion.

Pika e katërt, dhe tani duhet të ndalemi gjatë: miratimi i një rezolute parlamentare që dënon gjenocidin ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912-1956.

Këtu, vetëm këtu, do të doja ta pyesja secilin shqiptar që ka mbajtur edhe një herë të vetme në dorë një tekst historik për këtë rajon. Cili është ai shqiptar që e ka problem dënimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të vitit 1912 e tutje? Cili është ai shqiptar që ka harruar masakrat e ushtrisë serbe gjatë Luftërave Ballkanike? Që ka harruar Manastirin, Shkupin, Tetovën, Gostivarin? Që ka harruar fshatrat e djegur, popullatën e zhvendosur me forcë, kishat dhe xhamitë e shndërruara në kazerma? Që ka harruar lumenjtë me gjak për të cilët kanë shkruar Leon Trocki si korrespondent lufte, Carnegie Endowment në raportin e tij të vitit 1914, dhe diplomatët europianë të kohës?

Cili është ai shqiptar që sot, në vitin 2026, e quan “platformë subversive” kërkesën që ato krime të dënohen me një rezolutë parlamentare? Sepse nëse ekziston një shqiptar i tillë, ai duhet ta thotë haptas. Dhe ai shqiptar nuk është i Nova Makedonija. Ai shqiptar është brenda klasës politike shqiptare që sot heshti, ose më keq, që sot u rreshtua kundër Tiranës bash sepse Tirana e kujton këtë histori dhe Shkupi nuk dëshiron ta kujtojë.

Pika e pestë: krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një komisioni shtetëror për financimin e komunave, që të vendosë mbi grantet qeveritare. Çfarë ka të diskutueshme këtu? Kjo është reformë teknike e financimit lokal. Bashkimi Europian kërkon transparencë në shpërndarjen e granteve. Kjo është praktikë standarde.

Pika e gjashtë: krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, që të garantojë trajnimin e përkthyesve, redaktorëve, dhe lektorëve. Çfarë ka të diskutueshme këtu? Ky është funksion i zakonshëm i një shteti që pretendon se respekton diversitetin e tij gjuhësor.

Pra, le ta themi qartë. Edhe sikur secila pikë e kësaj “platforme” të jetë e vërtetë saktësisht ashtu siç është paraqitur, asnjëra prej tyre nuk është komplot kundër shtetit maqedonas. Asnjëra. Të gjitha janë ose detyrime kushtetuese ekzistuese, ose praktika standarde europiane, ose kujtesa elementare historike që asnjë komb i vetëdijshëm nuk ka të drejtë t’ia mohojë vetes.

Ajo që Nova Makedonija e quan “platformë” është thjesht lista minimale e asaj që një shtet bikomunitar duhej ta kishte zbatuar prej vitesh. Ajo që Nova Makedonija e quan “rrezik” është thjesht barazia.

Dhe pikërisht për këtë arsye, kushdo që sot e sulmon Hoxhën në vend që ta sulmojë këtë tekst, po dëshmon se cilën anë po mban realisht.

Reagimi i VLEN-it: kur heshtja do të ishte më dinjitoze

Reagimi i ministrit të Ekonomisë në Qeverinë e Maqedonisë, Besar Durmishi, dhe komunikata e mëvonshme zyrtare e koalicionit VLEN, na sjellin te një e vërtetë e thjeshtë por e vështirë: ndonjëherë heshtja është më dinjitoze sesa reagimi i gabuar.

Sepse ç’kanë bërë Durmishi dhe VLEN-i? Janë kapur pas një fjale. Kanë kërkuar falje publike. Kanë sulmuar ambasadorin Mejdani. Kanë akuzuar Tiranën zyrtare. Asgjë nga ajo që kanë thënë nuk e prek faktin që duhej ta prekte: tekstin e Nova Makedonija, narrativën që po ndërtohet kundër shqiptarëve, sulmin sistematik ndaj çdo zëri që mbron pozitën e barabartë të shqiptarëve në Maqedoni.

Subjekti i kritikës së tyre duhej të ishte ai tekst. Aty është realisht problemi. Por VLEN nuk e kritikoi atë tekst. VLEN nuk e përmendi atë tekst. VLEN, në një kohë rekord, gjeti se shqetësimi i tij më i ngutshëm ishte një fjalë e ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, jo skema politike e Shkupit që e prodhoi situatën.

Kjo është një zgjedhje politike. Kjo është një zgjedhje që kërkon shpjegim.

Reagimi i Hoxhës

Reagimi institucional i ministrit Hoxha përmes Albanian Post mori dy vendime të rëndësishme. I pari ishte teknik, dhe i drejtë: politika e jashtme e Shqipërisë nuk komunikohet me WhatsApp. Qëndrimet zyrtare ndërtohen përmes kanaleve institucionale, jo përmes interpretimeve të fabrikuara për konsum politik të brendshëm.

I dyti ishte substantiv. Ai nuk u tërhoq në mbrojtje. Ai përsëriti, me qartësi institucionale, atë që dy javë më parë e kishte thënë publikisht në lidhje me protestën e studentëve të juridikut në Shkup: shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues, dhe uniteti i tyre është jetik për pozitën e tyre politike, për stabilitetin e vendit, dhe për perspektivën europiane të rajonit.

Ky është qëndrimi i shtetit shqiptar. Ky ishte qëndrimi i shtetit shqiptar para “skandalit.” Ky është qëndrimi i shtetit shqiptar pas tij.

Dhe pikërisht këtu del në pah ironia që duhet emëruar. Linja që Nova Makedonija po sulmonte në tekstin e datës 16 prill ishte pikërisht kjo linjë. Pohimi që shqiptarët janë popull shtetformues. Atë e quanin “sfidim sovraniteti.” Atë e quanin “Platformë e Tiranës.” Atë e quanin krim nacionalist.

Dhe një pjesë e politikës shqiptare në Maqedoni, përfshirë pjesë të rëndësishme të VLEN-it, ende nuk e ka thënë haptas se ku qëndron në këtë çështje themelore.

Pyetja që nuk i është bërë askujt

Tani, kur zhurma të ulet dhe kur fjala “idiot” të dalë nga titujt e mediave, mbetet një pyetje. Ajo pyetje nuk i drejtohet një ministrie apo një komunikate. Ajo u drejtohet konkretisht VLEN-it, ministrit Durmishi, dhe deputetit Belind Këlliçi në Tiranë.

Pyetja është kjo: a janë apo nuk janë shqiptarët faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut?

Sepse kjo është pyetja e vetme që ka rëndësi. Çdo gjë tjetër është zhurmë.

Para se të akuzohet Shqipëria për çfarëdo gjëje, kjo përgjigje duhet dhënë publikisht, me firmë, pa dykuptimësi, pa “po, por.” Sepse kushdo që, qoftë edhe tërthorazi, e mbron tezën e Nova Makedonija, kushdo që e zhvendos debatin politik shqiptar duke iu kushtuar një fjale dhe jo një teksti, kushdo që e gjen më të lehtë të sulmojë Tiranën sesa të mbrojë vetë Maqedoninë e Veriut nga ata që duan ta kthejnë në një shtet etnikisht hierarkik, po pranon në heshtje atë që Nova Makedonija e shkroi: që shqiptarët në Maqedoni nuk janë faktor shtetformues. Dhe nëse nuk janë faktor shtetformues, atëherë çfarë janë? Përgjigjen e ka dhënë vetë skandali që këta vetë e ndezën. Janë idiotët më të mëdhenj që ekzistojnë.

Belind Këlliçi, që e bëri këtë histori një armë opozitare në Tiranë, dhe VLEN-i, që e bëri këtë histori një kazan presioni në Shkup, kanë të dy detyrim ta thonë se ku qëndrojnë. Sepse Ferit Hoxha, qoftë edhe i zemëruar në një grup chat-i, e tha qartë se ku qëndron Tirana zyrtare.

Tani është radha e tyre.

Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të teve1.info

ShareTweet

Postime të ngjashme

Gazetarja rumune Julia Bahovski viziton për herë të parë Kosovën, ndan përshtypjet dhe opinionin e saj

Gazetarja rumune Julia Bahovski viziton për herë të parë Kosovën, ndan përshtypjet dhe opinionin e saj

Shkodra: Liderët opozitarë nuk kanë besu që i fitojnë zgjedhjet, kjo ndjehet nga votuesit

Kriza e moszgjedhjes së presidentit si pasqyrë e thellimit të krizës politike dhe institucionale në Kosovë

Valëzat në Danub

Valëzat në Danub

Kur drejtësia lëshon përballë terrorit

Kur drejtësia lëshon përballë terrorit

Haxhiu: Do të ndryshohet rregullorja për subvencionime, shprehim keqardhje për atë çfarë ndodhi me ekspozitën

Haxhiu shpreh solidaritet me popullin amerikan pas sulmit në Uashington

Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri profesionale sipas standardeve të NATO-s

Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri profesionale sipas standardeve të NATO-s

 Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria

Qeveria ndryshon vendimin e datës 20 prill për anëtaret e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës

Hoxha u përgjigjet akuzave: Politika e jashtme nuk bëhet me WhatsApp, shqiptarët në RMV janë faktor shtetformues

Hoxha u përgjigjet akuzave: Politika e jashtme nuk bëhet me WhatsApp, shqiptarët në RMV janë faktor shtetformues

​ Vuçiq: Serbia “po përgatitet për sulm” nga bashkëpunimi Zagreb-Tiranë-Prishtinë

Vuçiq nën hijen e fantazmës së rrethimit

Skandali nuk është fjala e Ferit Hoxhës

Skandali nuk është fjala e Ferit Hoxhës

​Mbërrin ChatGpt i ri, është më autonom për punë dhe detyra komplekse

​Mbërrin ChatGpt i ri, është më autonom për punë dhe detyra komplekse

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën