Sindikata e Re e KEK-ut, Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës dhe Sindikata e Minatorëve të Trepçës dhe disa përfaqësues të Sindikatave tjera, mbajtën konferencë për media ku prezantuan shqetësimet e tyre në lidhje me veprimet e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Atdhe Hykolli.
Selatin Sadiku kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut dhe nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) tha se me ardhjen e Atdhe Hykollit si kryetar i BSPK-së, janë shkel ligjet e Republikës së Kosovës për organizim sindikal.
“Me ardhjen e Atdhe Hykollit, kryetar i BSPK-së me një vendim të qeverisë së Kosovës na u dashtë të regjistrojmë Shoqatën Sindikale si Federatë po ashtu edhe BSPK-në, në një arsyeshmëri që ka Federata që nuk e përfaqësojnë askënd. Me atë jemi pajtuar edhe ne si Federatë dhe e kemi bë një punë gjashtë mujore një punë të mundimshme. Vendimi i dytë që është bërë me ardhjen e Atdhe Hykollit, platforma e-Kosova një platformë online për ndalesa sindikale. Janë shkel ligjet e Republikës së Kosovës në fuqi për organizim sindikal. Kjo formë e aplikimit sindikal bëhet veq në shtetet diktatoriale, siq është Turqia edhe Kosova në Evropë, askund tjetër nuk bëhet. Kjo është bërë me të vetmin qëllim që Kryetarët e Federatave me kryesi të tyre të merren nga pika zero, merren me anëtarësime të reja mos të ketë kohë askush të merret me kryesi dhe kryetarin BSPK-së, Atdhe Hykolli.
Ai ka shtuar se takimet e kryesisë së BSPK-së duhet të mbahen për çdo muaj dhe se sipas tij verifikimi i procesverbaleve të takimeve kurrë nuk është mbajtur.
Ndërsa, Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës ka thënë se janë të shokuar me rrjedhën situatës të cilën e prezantoi nënkryetari Sadiku.
Ai theksoi se kanë besuar se Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, si shtëpi e përfaqësuesve sindikal dhe gjithë punëtorisë është një institucion që avokon për të drejtën e punëtorëve, por fatkeqësisht zoti Hykolli, sipas tij i ka befasuar.
“Jemi të shokuar me rrjedhën që tani e theksoi nënkryetari Selatin, pasi që ne kemi besuar që Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, si shtëpi e përfaqësuesve sindikal dhe gjithë punëtorisë është një institucion që avokon të drejtën e punëtorëve dhe duhet të jetë transparente dhe e përgjegjshme për të gjithë veprimet. Janë sakrifiku shumë gjenerata janë burgos, janë vrarë janë prerë prandaj ne nuk kemi të drejtë as morale ta keqpërdorim në asnjë formë Bashkimin e Sindikatave të Kosovës. Bashkimi i Sindikatave të Kosovës është shtëpi e të gjithëve, por fatkeqësisht zoti Hykolli na befason për faktin që është profesor universitar. Në vend se të ofroj unitet dhe bashkëpunim ai përkundrazi ai ka mbyllje konstante të përhershme. Që nga ardhja tij, mbyll dyert e Bashkimit të Sindikatave të Kosovës dhe len në një far forme nën hije aktivitetin duke përçarë Federatat”, ka thënë Gashi./eo