Qarkullonin lirshëm në kryeqytet.
Mirëpo, tani e tutje, automjetet bujqësore e kanë të ndaluar të dalin në rrugët e Prishtinës.
Kjo po u pamundësohet pas një vendimi të marrë nga Komuna.
I njëjti po mirëpritet nga vetë bujqit.
“E mirë se ardhur është, shumë me vend është. Nuk mundet me ardhë prej Maricës, po mendoj Gollakut, prej Grashticës, prej Makofcit ku është lloq, edhe mos qoftë lloç rruga kryesore, është lloç kur të jesh n’bashqe. Me gjithë atë lloç me dalë n’asfallt edhe me ardhë deri në Prishtinë me lloç, t’i zhyt udhët”, tha bujku i Prishtinës, Avdullah Dushi.
Pos këtij vendimi, sipas Dushit, duhet të merren edhe të tjerë.
“…duhet hala edhe nëpër vende të tjera me pasë prej fabrikave të plehut, hazër janë edhe kuadri hala nuk ka dek, hala o kuadri aty. Me prodhu, me prodhu plehna minerale, na i kemi tona kushtet. Fabrika është në Mitrovicë, fabrikë është në Kombinat te Kosova A aty, edhe me i pasë prodhimet tona. Mandej duhet me u mbrojtë prodhimi i bujqve. Pa mbrojtë qeveria prodhimin e bujqve nuk bën”, tha ai.
Por, i pakënaqur me vendimin po del të jetë dikush tjetër.
Nga Federata e Bujqve thonë se kufizimi nuk duhet bërë, pa ofruar një opsion alternativ.
“Bujqit kanë probleme, telashe të ndryshme që ballafaqohen dhe kjo telashe nuk është dashtë t’u ndodhë, sepse për t’ia ndaluar bujqve qarkullimin nëpër kryeqytet duhet t’u sigurohet një infrastrukturë tjetër për të pasur qasje në tokat bujqësore të cilat i punojnë”, tha kryetari i Federatës së Bujqve, Tahir Tahiri.
Nga Komuna thonë se vendimi është marrë në përputhje me dinamikën e re të zhvillimit të qytetit.
“Arsyet kryesore që kanë çuar në këtë vendim janë: Papërshtatshmëria funksionale e mjeteve bujqësore për zonat urbane; kushtet e rënduara të trafikut në kryeqytet; përdorimi i tyre në mënyrë jo të rregullt për bartje të materialeve”, u tha nga drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha.
Siç bëhet e ditur në vendimin e marrë, ndalimi zbatohet në të gjitha zonat urbane të Prishtinës, përkatësisht deri në kufirin me zonat e para rurale.






