Rikthimi në fshatin Vërboc të Drenasit, nuk është asnjëherë i lehtë për Elbasan Bunjakun.
27 vite më parë, si 13 vjeçar, i ulur në këtë vend, rrëfeu në lot se si mbijetoi gjatë masakrës së Vërbocit, ku u vranë gjithsej 275 shqiptarë.
Për tri ditë e tri netë, Bunjaku qëndroi në mesin e kufomave, pasi i gjithë grupi me të cilin po largoheshin nëpër mal, u ekzekutua.
“Na kanë gjuajtur të gjithëve ne grupin që kemi qenë shtatë apo tetë persona. Shumicën i kanë rrokë sa kemi qenë aty dhe fatmirësisht mua nuk më kanë rrokë, jam bërë sikur i vdekur. Ka në ardh prapë për së dyti e kush ka lëvizë i kanë gjuajtur për së dyti, dikë e kanë zënë edhe të gjallë, por sytë i kam pas qelë i kam parë forcat serbe edhe kam qëndruar për tri ditë e tri net pa hëngër pa pi”, tha Bunjaku.
Deri në natën e tretë, askush nuk e dinte se në mesin trupave të pajetë, ndodhej edhe Elbasani i mbijetuar.
“Në natën e tretë kur janë ardh me i varros trupat që janë kanë këtu të vdekur, ndër ta jam kanë edhe unë aty, por askush nuk e ka ditë që unë jam i gjallë. Unë vetëm i kam lëvizë pak sytë edhe njëri këtu fqinjtë e nipave kur është radha te unë për me më varros, kur më kanë rrotulluar i kam lëvizë pak sytë edhe ai pak është trembë, ju ka tregu atyre nipave e ju ka thanë që Elbasani është gjallë”, deklaroi Bunjaku.
Pas tre ditësh pa ushqim e pa ujë, gjendja e 13 vjeçarit ishte rënduar shumë.
“Unë e kam pasur gjendjen shumë të rëndë se tre ditë pa hëngër e pa pijë u kanë shumë e vështirë shumë e rëndë edhe si i ri 13 vjeçar”, kujton ai.
Por mbijetesa, Elbasanit i erdhi me një humbje të madhe. Në mesin e viktimave ishte edhe babai i tij…
“Ka qenë shumë e vështirë, por ashtu ka qenë e shkruar. Kanë qenë raporte të mira sikur baba me djalin më edhe djali me babë, por kështu ish kanë e shkruar asgjë nuk është varur nga unë, kam mundur me pas fatin edhe unë si këta tjerët me vdekë, por ka deshtë Zoti. Ka qenë shumë e vështirë, por ashtu ka qenë e shkruar”, tha Elbasani.
27 më vonë, Bunjaku kërkon nga shteti që të bëj më shumë në zbulimin e autorëve të këtij krimi makabër.






