Në kampin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë është realizuar ushtrimi i përbashkët operacional “Shpata e artë”, ku morën pjesë Policia e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) dhe Shërbimet Shëndetësore.
Siç bëhet e ditur në njoftim, qëllimi i këtij ushtrimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për reagim emergjent në raste të incidenteve kritike dhe situatave që kërkojnë angazhim të përbashkët të institucioneve të sigurisë.
Përmes këtij aktiviteti është synuar testimi dhe avancimi i gatishmërisë institucionale për të garantuar sigurinë publike dhe për të mundësuar reagim të shpejtë, efikas dhe efektiv ndaj sfidave të mundshme të sigurisë.
Ushtrimi është përcjellë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Onur Çakici, shefi i EULEX-it, Antero Lopes, si dhe përfaqësues të FSK-së, AME-së dhe Shërbimeve Shëndetësore.
Në përfundim të ushtrimit, pjesëmarrësit nga institucionet e përfshira janë përgëzuar për angazhimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë realizimit të tij.
Sipas Policisë së Kosovës, aktivitete të tilla dëshmojnë rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe gatishmërisë së përbashkët për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës./teve1.info/





