Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka mbajtur fjalimin e saj të parë pas zgjedhjes në këtë pozitë, duke thënë se e pranon detyrën me nder të madh dhe përgjegjësi të plotë.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Shiroka-Pula ka theksuar se mandati i saj nuk i përket vetëm një personi, por të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe shtetit të Kosovës.
“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, ka deklaruar ajo.
Shiroka-Pula është zotuar se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror.
“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, ka thënë presidentja e re.
Ajo ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj si shtet demokratik, me orientim të qartë euroatlantik dhe me marrëdhënie të forta me aleatët.
“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Në fund të fjalimit, ajo ka përmbyllur me urimin: “Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”./teve1.info/




