Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në edicionin e gjashtë të aktivitetit kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, “Let’s Talk 2026”.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë këtij aktiviteti, presidentja ka theksuar rëndësinë e dialogut në afrimin e njerëzve, kuptimin e përvojave të ndryshme dhe tejkalimin e barrierave që ekzistojnë në shoqëri.
Ajo ka vlerësuar se “Let’s Talk” krijon një hapësirë të rëndësishme për diskutime të hapura rreth përvojave individuale, sfidave me të cilat përballen komunitetet dhe ndryshimeve që synojnë të shohin në shoqëri.
Shiroka Pula ka theksuar se barazia nuk duhet të shihet vetëm përmes të drejtave të garantuara me ligj, por edhe përmes mundësive reale që secili individ i ka në jetën e përditshme dhe në vendimmarrjen për të ardhmen e tij.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që paragjykimet të mos shndërrohen në pengesë për të tjerët, duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Në fund, duke iu drejtuar të rinjve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, presidentja ka theksuar se aspiratat e tyre kanë vend në Kosovë, zëri i tyre ka rëndësi dhe e ardhmja e tyre duhet të ndërtohet mbi mundësi të barabarta./teve1.info/







