400 mijë litra naftë kontrabandë nga Tunizia janë sekuestruar në Portin e Durrësit.
Në pranga ranë pesë shtetas sirianë, kapiteni i anijes, ndihmësi i oficerit të parë, shefi i inxhinierëve, shefi i ofiçinës, mirëmbajtësi i pompave të naftës, si dhe një 34-vjeçar shqiptar, oficer i parë i anijes.
Po ashtu, u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, 31-vjeçari me iniciale J.K. nga Tirana dhe 32-vjeçari me iniciale S.S. nga Durrësi. Nën hetim u vunë pesë pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
Edhe një ditë më parë, u sekuestruan 670 000 litra naftë të dyshuar kontrabandë nga Tunizia.
Në pranga ranë tre persona, Mohammd Kahilah, shtetas sirian me detyrë kapiten i anijes, Eneo Cano një 43-vjeçar shqiptar me detyrë marinar i anijes, si dhe Sushil Vema, shtetas indian, 42 vjeç. Po ashtu janë shpallur në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër.