Policia e Kosovës ka sekuestruar të mërkurën 27 mijë copë filtra të ndryshëm, 91 kilogramë duhan të përpunuar dhe 700 poçe elektrike 100W gjatë një aksioni në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua pas pranimit të një informate lidhur me kontrabandën e mallrave.
“Njësia e Task-Forcës e përbërë nga Policia dhe Dogana, konkretisht Drejtoria Rajonale Kufitare Jugu dhe Njësia Anti-kontrabandë e Doganës së Kosovës, pas pranimit të një informate rreth kontrabandës së mallrave, ka ndërmarrë veprime operative duke arritur të identifikojë një lokacion që shërbente si pikë grumbulluese e mallrave kontrabandë”, thuhet në njoftim.
Kontrolli në këtë lokacion u realizua me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Gjilan, ku u gjetën dhe sekuestruan mallrat e lartpërmendura.
Të gjitha mallrat e sekuestruara janë dorëzuar tek Dogana e Kosovës për procedurat e mëtejshme ligjore, njofton Policia./teve1.info/







