Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të gëzojnë lirinë e udhëtimit pa viza në zonën Schengen. Por Mehdi Sejdiu, këshilltari politik i zv.kryeministrit Besnik Bislimi tregon disa nga arsyet pse qytetarët mund të marrin gjoba, nëse nuk respektojnë disa rregulla të caktuara.
Sejdiu bën të ditur se në liberalizimin e vizave nuk përfshihet punësimi apo shkollimi, pasi për të njëjtat duhet të ketë vizë pune apo shkollimi.
“Në asnjë formë liberalizimi i vizave nuk do të thotë mundësi punësimi dhe shkollimi. Për këto duhen viza pune ose viza për studime, këto nuk përfshihen në liberalizim të vizave. Liberalizmi i vizave është përkohësisht për vizita afatshkurtëra, që shpeshherë munden me qenë turistike”, deklaroi ai në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Ai bëri të ditur se nëse këto shkelen, qytetarët mund të gjobiten me mijëra euro.
“Nëse shkelen këto, nëse një qytetar i Kosovës punon në formë të paligjshme diku me liberalizim të vizave, pa vizë punë, ai mund të gjobitet me mijëra euro, mund të merr ndalesë për zonën e hyrjes Schengen. Pra janë pasoja të mëdha që mund t’i shkaktohen një qytetari, kështu që nuk është e leverdisshme për qytetarët që të përdorin, t’i shkelin rregullat e liberalizimit të vizave, sepse pasojat janë shumë të mëdha”, shtoi Sejdiu.
Rregullat e liberalizimit të vizave të cilat vlejnë në zonën Schengen mund t’i gjeni KËTU.