Më 15 prill mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar këtë datë, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.
Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar se do të formojë e vetme qeverinë, por nënkryetari Glauk Konjufca ka pranuar më 8 prill se kjo është e pamundur pa koalicione qeverisëse.
Ai ka thënë se qëllimi i LVV-së ishte të formonte qeverinë vetëm, por rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e determinon nevojën për koalicion, ndërkohë që partitë e tjera kanë refuzuar mundësinë e koalicionit me partinë fituese duke kërkuar që një gjë të tillë ta bëjnë vetë ato.
Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se në seancën konstituive të Kuvendit mund të ndodhin shumë gjëra të papritura dhe të paparashikuara, pasi vota e qytetarit ka vendosur partitë politike në një “pozicion pa pozicion”. Ai thotë se nevojitet një qeveri e unitetit.
“Ka shumë të papritura dhe të paparashikuara që mund të ndodhin, për arsyen e parë, sepse rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë ka orientuar pozitën dhe opozitën në një pozicion pa pozicion, nëse shprehemi në fjalorin e shahut, ku në mënyrë milimetrike ka matur dhe ka rezultuar meritën që ato kanë pasur, gjegjësisht mos me meritën që kanë pasur qoftë pozita apo opozita… Në situatën aktuale ka shumë të papritura në këtë seancë dhe ka shumë mundësi, të cilat nuk i parashikon askush. Ajo që duhet të ndodhë, nëse më pyetni, është në interes të qytetarit të Kosovës – sot është që subjektet politike pozitë-opozitë, bashkë ato që kanë fituar, pozita në parlament është dashur dhe ka kohë ende që të bashkohen dhe të bëjnë një qeverisje me bazë të gjer një qeverisje të unitetit”, tha ai, shkruan KP.
Ndërsa në lidhje me refuzimin e partive opozitare për koalicion me partinë e Albin Kurtit, profesor Baraliu thotë se ka shumë hatër mbetje për një fjalë goje duke iu referuar ‘hajvanatit’ të Kurtit, drejtuar partive të tjera pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Sepse ka shumë antagonizma, ka shumë hatër mbetje ka shumë inate, ka shumë synime dhe qëllime politike për pushtet dhe jo vetëm, për një fjalë goje madje. Prandaj, ne fatkeqësisht po dëshmojmë edhe kësaj radhe, dhe kjo është poenta mbase, do të duhej të ishte poenta pika referuese shtyllë-mbajtëse e kësaj bisede dhe veprimit që do të duhej të bënin subjektet politike. Ne ende nuk jemi të vetëdijshëm sa duhet ose nuk jemi pjekur sa duhet, nuk jemi emancipuar sa duhet demokratisht dhe politikisht, për të kuptuar momentin e tanishëm, rëndësinë e momentit, konstalacionet gjeopolitike që po ndodhin dhe rreziqet që mund t’i kemi”, potencoi Baraliu.
Për sa i përket çështjes nëse nuk arrin partia fituese e zgjedhjeve që të sigurojë shumicën, Baraliu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë – parti që arrin 61 vota e formon qeverinë dhe nuk ka rëndësi nëse kjo është partia e dytë apo e tretë.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe interpretuar, dhe ashtu do të duhej të ishte. Do ta kuptojnë këto parti që kanë mundësi që pas partisë së parë, e cila mund të dështojë në dhjetë ditë pas mandatimit, atëherë që mund t’i bëjë 61 vota plus, a është e dyta a po e treta, nuk ka rëndësi – mund t’ia ofrojë presidentes dhe presidentja e para që e mandaton do të thotë pas kësaj mund të bëjë qeverinë”, tha ai.
Seanca konstituive e Kuvendit, e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani brenda afateve ligjore, do të mbahet të martën, më 15 prill, duke filluar nga ora 10:00.
Pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Pas prezantimit të raportit të komisionit, ai votohet nga Kuvendi. Pas kësaj vazhdon betimi i deputetëve, të cilët marrin zyrtarisht mandatin e tyre si përfaqësues të zgjedhur.
Në vijim do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve. LVV, PDK e LDK do të kenë nga një nënkryetar, ndërsa nga një minoriteti serb dhe minoritetet jo shumicë.
Kryetari i Kuvendit duhet të jetë emër i propozuar nga partia që ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – Lëvizja Vetëvendosje, e cila ende nuk ka paralajmëruar se kush mund të jetë.
Kryetari dhe nënkryetari zgjidhen me shumicën e votave. Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre. Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk duhet të jenë më të gjata se 48 orë, thuhet në Nenin 12, pika 5 e rregullores së Kuvendit.
Vetëm pasi të ketë përfunduar seanca konstituive, e para e shtetit mund të vazhdojë me obligimet e saj ligjore për të mandatuar partinë e parë për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, është në diskrecionin e saj që të mandatojë më pas parti të tjera për të formuar qeverinë, nëse Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk merr mbështetjen e 61 deputetëve në Kuvend për qeverinë e re.
Seanca konstituive dallon nga seancat e zakonshme parlamentare dhe nuk ka fjalime dhe debate parlamentare. Ajo do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV (78-vjeç) dhe deputetja më e re Sala Jashari nga PDK (25 vjeç).
Gjykata Kushtetuese ka interpretuar se e drejta për të propozuar kryeparlamentarin i takon partisë së parë, por nuk e ka përcaktuar nëse kjo e drejtë mbetet e vlefshme nëse partia e parë nuk paraqet kandidatin e saj.
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në takim me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, janë dakorduar që subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare. Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës. Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera jo serbe.