Presidenti rus Vladimir Putin priti të mërkurën dhjetëra udhëheqës afrikanë në një samit Rusi-Afrikë, pjesë e përpjekjeve të Moskës për të zgjeruar ndikimin e saj në të gjithë kontinentin .
Duke folur në hapjen e samitit dy-ditor Rusi-Afrikë në Moskë, Putin e cilësoi atë si një “pjesë organike të një transformimi global” dhe një fund të dominimit perëndimor, duke vënë në dukje se “po dëshmojmë një botë shumëpolare që po bëhet realitet – një trend që është si objektiv ashtu edhe i pakthyeshëm”.
“Epoka kur fatet e kontinenteve të tëra përcaktoheshin nga një bllok i ngushtë shtetesh po i vjen fundi i pakthyeshëm”, tha Putin. “Ajo po zëvendësohet nga një botë më e drejtë, në të cilën duhet të dëgjohen zërat e të gjitha kombeve që marrin pjesë në çështjet ndërkombëtare.”
Në fjalimin e tij në forum, Putin bëri thirrje për forcimin e rolit të Afrikës në marrjen e vendimeve në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Grupin e Bankës Botërore për të përmbushur nevojat e kontinentit.
Putin theksoi se Rusia furnizon drithëra dhe plehra në më shumë se 40 vende afrikane dhe është e gatshme të zgjerojë furnizimet.
Samiti Rusi-Afrikë shënon një përpjekje të ripërtërirë të Kremlinit për të forcuar lidhjet me një kontinent me gati 1.6 miliardë banorë që është gjithnjë e më i vendosur në skenën globale. 54 vendet e Afrikës përbëjnë bllokun më të madh votues në Kombet e Bashkuara.
Moska priti për herë të parë samitin Rusi-Afrikë në vitin 2019 dhe pastaj përsëri në vitin 2023. Samiti i kësaj jave tërhoqi 48 vende afrikane, rreth 20 prej të cilave u përfaqësuan nga udhëheqësit e tyre.










