Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov ka thënë të hënën se po bëhet “përparim i ngadaltë” në lidhje me një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas bisedimeve në Miami, raportojnë mediat shtetërore ruse.
“Po vërehet një përparim i ngadaltë”, u citua nga Guardian të ketë thënë Ryabkov pasi Rusia dhe Ukraina dërguan negociatorë në Miami për takime të ndara me të dërguarit e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin dhe këshilltarin e presidentit amerikan.
Ndërkohë që nuk pati përparime të mëdha nga bisedimet, të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës të shtunën i përshkruan diskutimet si “produktive dhe konstruktive”.
Megjithatë, disa pika të rëndësishme mbeten të pazgjidhura, duke e bërë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Moska ka këmbëngulur që çdo marrëveshje paqeje duhet t’i japë Rusisë kontroll mbi të gjithë rajonin lindor të Donbasit, duke përfshirë zonat që nuk i ka pushtuar ende.
Ukraina e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, duke e parë atë si një shpërblim të papranueshëm për agresionin e Moskës.
Ndërkohë, trupat ruse vazhdojnë një përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në Donbas, i cili përfshin dy rajonet shumë të industrializuara të Donetskut dhe Luhanskut.









