Rruga është e mbushur me gropa.
Për këtë shkak, veturat po detyrohen të lëvizin më ngadalë në këtë pjesë të Prishtinës.
Madje nuk po mungojnë as përplasjet e maskave të veturave në to.
Por në rrugën ‘’Muharrem Fejza’’ edhe trotuaret janë zënë dhe prishur.
Si pasojë, 74-vjeçarja, Remzije Janjeva disa herë është rrëzuar.
“Unë një herë në ditë dal edhe frikohem që dal, o autobusi o kamionët duhet me ik dikah, unë ka ndodhë dy tri herë jam rrëzuar duke ik prej kamionit, duke ik prej autobusit. Trotuari katastrofë krejt është, si në këtë anë si në atë anë”, tha Janjeva.
Por gjendja e tillë në këtë pjesë të rrugës po shkakton rrezik edhe për fëmijët.
“Shumë problem po është se për shkak që s’po ka trotuare shpesh herë po më duhet me ec në vijë të bardhë. Po vijnë kerret shumë shpejt, shumicën e rasteve. Po ka rrezik se po jam edhe me karrocë, se çikën s’po kom ku ta lë, djalin po më duhet herë për dore herë para vetit me ec”, u shpreh Roza Zemi banore në këtë lagje.
Mirëpo derisa ekipi i tëvë1 gjatë së mërkurës po raportonte për gjendjen e rrugës, punëtorët nga Ndërmarrja Publike Banesore erdhën dhe filluan matjet e saj.
Kjo, për të nisur punimet lidhur me mbulimin e gropave, si investim kapital.
Ndërkaq nga komuna e Prishtinës u tha se prioritet i tyre është largimi i parkingjeve ilegale.
‘Ne e kemi prioritet këmbësorin andaj kemi me bo maksimumin që këtë vit hapësira për këmbësorë me qenë me të vërtetë hapësira që shfrytëzohen pra për këmbësorë edhe me i largu këto parkingjet ilegale”, tha Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë.
Musliu më tutje u shpreh se rruga ‘’Muharrem Fejza’’ do të bëhet rrugë njëkahëshe.
“Jemi duke punuar me qëllim që rruga ‘’Muharrem Fejza’’ me u kthy në rrugë njëkahëshe. Në të njëjtën kohë jemi duke punu që shtregu i biçikletave me vazhdu dhe me pasë edhe një ndërlidhje me rrugën C. Në të njëjtën kohë do të bëjmë edhe intervenime në rrugë dytësore, pra kyçjet që janë në rrugën ‘’Muharrem Fejza’’ duke filluar edhe me ndriçim por në të njëjtën kohë edhe me disa intervenime në mobilitet”, tha ai.
Sipas Musliut, projekti lidhur me drejtimin njëkahor në ‘’Muharrem Fejza’’ do të fillojë pas muajit Mars.
Kronika e gazetares Albiona Hajdari.