Kryeshefi Ekzekutiv i HK-Trainkos Sh.A., ing. Agron Statovci ka njoftuar se nga data 1 tetor 2025, të gjithë punonjësit e ndërmarrjes do të përfitojnë një rritje të pagës bazë me 30 € dhe pagesën e shujtës ditore prej 2.5 € për ditë pune.
Statovci theksoi se kjo rritje ka karakter social, duke u bazuar në kursimet e arritura nga menaxhimi dhe përmirësimi i transparencës dhe disiplinës në punë.
Ai falënderoi të gjithë punonjësit për përkushtimin dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të kursimeve dhe përdorimit efikas të burimeve të ndërmarrjes.
Kryeshefi gjithashtu bëri thirrje që të ruhet kujdesi në përdorimin e energjisë, materialeve administrative dhe operimin e trenave në mënyrë ekologjike dhe efikase, për të garantuar që HK-Trainkos të vazhdojë të ofrojë shërbime të qëndrueshme dhe të përmirësojë mirëqenien e punonjësve.
“Ju njoftojmë se është miratuar kërkesa e menaxhmentit nga Bordi i Drejtorëve i HK-Trainkos Sh.A., në Mbledhjen Nr. 27, të mbajtur më 30.09.2025, me Vendimin Nr. I/120. Në bazë të këtij vendimi, është aprovuar rritja e pagës bazë për të gjithë punonjësit e HK-Trainkos Sh.A., në shumën fikse prej 30 (tridhjetë) euro, si dhe pagesa e shujtës ditore në shumën prej 2.5 (dy pikë pesë) euro për secilën ditë pune të realizuar në total 85 euro me fondin e orëve të plote . Zbatimi i këtij vendimi fillon nga data 01.10.2025 dhe mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi të ri nga Bordi i Drejtorëve. Sot, kjo rritje është reflektuar në llogaritë tuaja bankare, pavarësisht gjendjes së rënduar financiare që e kemi trashëguar. Kjo rritje nuk është meritore, por ka karakter social, pasi në ndërmarrje nuk ka pasur ngritje të pagave për një periudhë prej afro 15 vitesh. Bazuar në këto rrethana, menaxhmenti që nga prilli i vitit 2023, me inkurajimin edhe të Bordit të Drejtorëve ,ka arritur të zvogëlojë shpenzimet deri në atë masë sa të mos rrezikohet operimi me trena, duke rritur transparencën dhe kursimet para publikut. Ju shpjeguam disa faktor që kanë ndikuar në rritjen e pagave. Nëse bëjmë një krahasim ndërmjet tre viteve të fundit me Raportin Vjetor 2024, vërehet se shpenzimet e stafit kanë rënë për 23.86%, apo për 433,387.91 €, me volum të njëjtë pune dhe me të njëjtin staf ekzekutiv. Ulja e shpenzimeve është pothuajse e barabartë në të gjitha kodet e shpenzimeve dhe pritet të jetë edhe më e madhe në raportin vjetor për vitin 2025, pasi kemi përfunduar procesin e ristrukturimit, ku kemi optimizuar punët dhe rritur përgjegjësinë dhe disiplinën në punë. Nga ky proces janë shuar mbi 40 pozita pune të cilat kanë qenë të panevojshme, pa normë pune. Janë ndaluar privilegjet e caktuara për disa të punësuar, si shfrytëzimi i veturave edhe për nevoja private, të cilët gjithashtu disa nuk kanë qenë të rregullt në punë, duke shkaktuar diskriminim ndaj pjesës së punëtorëve të cilët kanë qenë të rregullt dhe të ngarkuar me punë. Janë shfuqizuar një mori vendimesh për kompozime brenda orarit të punës, avancime pa procedura, ndërprerja e kontratave të dëmshme të transportit të mallrave, ku më e lartë ka qenë kostoja e shpenzimeve sesa ajo e shitjes, certifikimi i pagesave pa kontrata, pranimi i faturave pa procedura, dëmet e shkaktuara nga RIV, kontesti gjyqësorë me Infrastukturën e Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, dëmet materiale të shkaktuara dhe të pa proceduara, rasti i arkave fiskale si dhe shumë të tjera, me një fjalë kem rrite mekanizmat e kontrollit të mbrëmshëm. Mirëpo, ulja e këtyre shpenzimeve dhe miratimi i kërkesës së menaxhmentit nga Bordi i Drejtorëve i HK-Trainkos Sh.A. është meritë e të gjithëve ne si kolektiv. Po ashtu, kjo rritje është në përputhje të plotë me politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e mirëqenies së punonjësve dhe është rezultat i inflacionit të vazhdueshëm global. Kujdesi për të ruajtur dhe kursyer ndërmarrjen duhet të vazhdojë, duke filluar nga shpenzimet për rrymën, ujin, materialet administrative, letër dhe printimet e panevojshme, e deri te stafi ekzekutiv duke operuar trenat në mënyrën më ekologjike dhe efikase të mundshme, si dhe duke shmangur lëvizjet manovruese të panevojshme. Si ndërmarrje Trainkos Sh.A, jemi ndikuar edhe nga projekti për rehabilitimin e linjës 10, dhe për momentin e kemi të pamundur ushtrimin e plotë të aktivitetit tonë. Shpresojmë që ky projekt të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që bashkërisht ta rikthejmë dhe ta zgjerojmë klientelën, ta zhvillojmë ndërmarrjen dhe të rrisim mirëqenien për të gjithë ne, punonjësit e NP Trainkos Sh.A”, thuhet në përgjigjen e Kryeshefit për Tëvë1./teve1.info/







