Komisioni Evropian ka prezantuar rregullat e reja për zgjerimin e BE-së, të cilat parashohin kushte më të forta për vendet kandidate, ndërsa Kosova, ende pa status kandidati, mbetet jashtë tyre.
Komisioni Evropian prezantoi sot rregullat e reja për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Vendet kandidate do të përfshihen më herët në politikat dhe programet evropiane, por kjo qasje kushtëzohet me reforma dhe me përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, sidomos me sanksionet. Nëse detyrimet nuk përmbushen, qasja mund të pezullohet.
Megjithatë, për momentin rregullat e reja nuk e prekin Kosovën, të vetmin vend në rajon që nuk e ka ende statusin e kandidatit.
“Nga njëra anë, kemi vende kandidate që, për arsye të ndryshme, ndodhen në nivele të ndryshme të procesit të anëtarësimit. Njëri prej tyre, Kosova, ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Kjo do të thotë se është e rëndësishme që t’i integrojmë të gjithë në Bashkimin Evropian, dhe këtu po flas si komisionere, por edhe si person që vjen nga rajoni, nga ish-Jugosllavia. Një nga gabimet më të mëdha të së kaluarës është se nuk ia dolëm ta bëjmë këtë më herët. Dhe sot po e paguajmë çmimin”, deklaroi Marta Kos, komisionere për Zgjerimin.
Risia kryesore janë mekanizmat më të fortë mbrojtës. Për 15 vjet pas anëtarësimit, në rast shkeljesh të rënda të sundimit të ligjit dhe të vlerave evropiane, një vend anëtar mund të humbasë deri edhe të drejtën e votës në Këshill. Anëtarët e rinj do të zotohen gjithashtu të mos bllokojnë zgjerimin e mëtejshëm për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
I pari që do t’i provojë rregullat e reja është Mali i Zi, si vendi më i avancuar në proces. Sipas Brukselit, ai mund t’i mbyllë negociatat në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm dhe të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028./RTK







