Kosova hap kampanjën kualifikuese të EURO 2024, të shtunën në Tel Aviv kundër Israelit, ndërsa 3 ditë më vonë ‘Dardanët’ presin në tempullin “Fadil Vokrri” Andorrën.
Kur jemi saktësisht dy ditë para ndeshjes, dua të hap një diskutim. Ky është formacioni që unë kam menduar se duhet të startohet.
Aro Muric duhet të jetë në portë. Ai ka luajtur 35 ndeshje këtë sezon, ndërsa ka pranuar 103 goditje prej të cilave ka pritur 75, në një përqindje prej 72.82%. Ai ka pranuar 26 gola, teksa ka arritur të mbajë 14 herë portën e paprekur.
Duke i ditur kualitet e Rrahmanit dhe ndikimin e tij në stabilizimin e vijës së fundit, kjo do t’u jepte hapësirë mbrojtësve anësorë të lëvizin përpara. Dresevic si një lojtar që di të pozicionohet mjaft mirë dhe i di përgjegjësitë e veta në fushë mund të krijonte atë treshën në vijën e fundit në rast se anësorët avansojnë, sidomos kundër Israelit, mund të jetë më afër Vojvodës pasi rreziku kryesor vjen nga Solomon.
Pse Rrudhani duhet të jetë në mesfushë?
Rikthimi i Leart Paqaradës është një lajm i mirë në kampin e Kosovës. Daljet e tij, ose në anglisht ‘overlap’ duhet të jenë të shumta pasi krosimet e sakta leht mund të kapin e Muriqit. Por, në rast se kundërshtari nuk mbrohet me shumë futbollistë prapa, Rrudhani mund të mbulojë pa problem pozitën e tij dhe mos mbetemi pa numra në fushë. Nëse kundërshtari mbipopullon zonën e vet, Rrudhani mund të sulmojë pak para zonës sepse Rashica dhe Muriqi do të jenë të markuar vazhdimisht dhe hapësira mes mbrojtësit të krahut dhe atij të qendrës do të jetë e madhe dhe pastaj varet nga aftësitë individuale të tij.
Niveli i lartë teknik i Celinës dhe Zhegrovës do të ishin bartja e lojës të Kosova. Ata të dy duhet të jenë aktiv në çdo aksion dhe të diktojnë tempon e lojës. Kjo do të thoshte që Rashica do të ishte më i lirë në krahun tjetër dhe loja e tij pa top mbrapa shpinës të vinte në element, duke patur parasysh vertikalizimet që mund të vijnë nga këta dy lojtarë.
Rashica duhet të jetë në çdo moment gati. Ai duhet të ketë një rol që loja e tij më shumë të jetë pa topin në këmbë, e që unë mendoj se ai duhet të qëndrojë sa më anash që është e mundur, për t’u krijuar ajo hapësira mes vijës së fundit të kundërshtarit.
Vedat Muriqi nuk ka nevojë që të largohet shumë nga zona, edhe pse dëshira e tij e madhe për të ndihmuar skuadrën do ta shtyejë atë të ofrohet shumë tek mesfusha, por besoj se ai duhet të qëndrojë tek zona sepse prezenca e tij aty do të vendoste në presion mbrojtjen kundërshtare, eventualisht të tentojë rastët double-pass me bashkëlojtarët, pasi prekja e tij e parë është në nivelet më të larta dhe kjo do të mund të krijonte shanse shumë të mira për lojtarë si Zhegrova, Rashica e Celina.