Më 2 prill të vitit 1992, “Tigrat e Arkanit” hynë në Bijelinë me arsyetimin se duhej ta pastronin atë sipas tyre nga “fundamentalistët islamë”.
Por, në këtë qytet të Bosnje Hercegovinës, krejt çfarë gjetën, ishin civilë të pafajshëm e të paarmatosur, në mesin e tyre kishte edhe shqiptarë.
Shumë prej këtyre krimeve i kapi në fotografi, fotoreporteri amerikan, Ron Haviv.
Havi në në intervistën për Tëvë1, Haviv flet për vrasjen e tre shqiptarëve si dhe për takimin me liderin e “Tigrave”, kriminelin famëkeq, Arkanin.
Tëvë1: Ju keni një jetë që mbuloni luftërat, veçanërisht ato në ish-Jugosllavi. Duke e konsideruar rrezikun, pse zgjodhët të bëheni një gazetar lufte?
Haviv: Nuk e di saktësisht kur e kam marrë këtë vendim. Por, në fillimet e mia e kuptova që historia e botës vendoset nga konfliktet dhe është e domosdoshme që aty të ketë vëzhgues të pavarur. Të ketë vëmendje për mbrojtjen e jetëve të pafajshme. Të jemi në gjendje ta rrisim ndërgjegjësimin për abuzuesit potencial me të drejtat e njeriut, që zakonisht ndodhin në këto konflikte.
Tëvë1: Tani, të kthehemi prapa në kohë, në 2 prillin e vitit 1992 në Bijelinë të Bosnje dhe Hercegovinës, kur ju raportuat për atë që njihet si Masakra e Bijelinës, çfarë keni parë atë ditë atje?
Haviv: Unë kisha mundësi të punoja me një grup paramilitar, të njohur si ”Tigrat” që udhëhiqeshin nga lideri i tyre që quhej Arkan. Arkani më dha leje ta shoqëroja njërin nga njësitet e tij që erdhën në Bijelinë, sipas tyre, për ta pastruar qytetin nga fundamentalistët myslimanë. Nëpër qytet ata nuk gjetën ndonjë luftëtarë, por në vende të ndryshme gjetën civilë të cilët po fshiheshin. Në një rast unë pashë që e larguan një flamur me simbole islame nga një xhami e qytetit dhe e vendosën flamurin serb. Pastaj i dëgjova disa zëra nga një dhomë tjetër e xhamisë, kur shkova aty e pashë që e kishin gjetur një njeri, për të cilin thanë se ishte terrorist nga Kosova. Ma treguan edhe ID-në e tij dhe thanë se ky ishte një luftëtar. Pastaj dëgjova disa zëra nga jashtë dhe kur dola dhe pashë që matanë rrugës ishte një shtëpi ku një çift, Abdirami dhe Hamijeta, ishin nxjerrë jashtë më forcë dhe i kishin shtrirë përtokë. Kishte shumë bërtima, në njërën anë ushtarët filluan të më bërtisnin mua të mos bëja fotografi, pastaj kishte bërtita mes ushtarëve dhe çiftit. Më pas u dëgjuan disa të shtëna dhe Abdirami ra përtokë. Hamijeta u mundua ta ndihmonte, pastaj e qëlluan edhe atë. Unë arrita të ikja nga ushtarët dhe ishte e qartë që nuk mund të bëja gjë për t’i ndihmuar këta civil të paarmatosur.
Tëvë1: Nga perspektiva juaj, a dukeshin këta si myslimanë fundamentalistë?
Haviv: Nuk e di se kush ishin. Por, nga pamja ishin njerëz të moshës së mesme dhe të paarmatosur. Ishin civil normal dhe deri pas kësaj ngjarjeje nuk ua dija as emrat.
Tëvë1: A e takuat ju personalisht, Arkanin? Cilat ishin fjalët dhe veprimet e tij?
Haviv: Po e kam takuar Arkanin. E kam fotografuar atë me njësitin e tij ku shihet duke e mbajtur në dorë një tigër të vogël, pasi edhe njësiti i tij quheshin “Tigrat”. Atij i pëlqeu fotografia. Ai ndjehej se po e mbronte popullin serb, ndjehej se po i ndalonte fundamentalistët islam. Kjo ishte në fillim të luftës në Bosnje.
Tëvë1: Ju po ashtu i bëtë një fotografi një personi të quajtur, Hajrush Ziberi, i cili ishte një shqiptar nga Shkupi. A mund të na tregoni diçka më shumë për të dhe për mënyrën se si u torturua nga “Tigrat” para se të vritej?
Haviv: Hajrushi ishte njeriu që e gjetën brenda xhamisë, për të cilin më thanë se ishte terrorist. Pasi që vranë njerëzit e tjerë, Hajrushi ishte ende gjallë ndërsa Tigrat u kthyen në bazën e tyre, ku e sollën edhe Hajrushin si të burgosur. Unë doja ta dokumentoja këtë moment, pasi e rrëzuan përtokë, Hajrushi i ngriti duart lart në shenjë dorëzimi dhe në njëfarë forme duke kërkuar ndihmë nga unë. Fatkeqësisht nuk mund të bëja asgjë më shumë sesa një fotografi. Kur po largohesha dëgjova një përplasje dhe pashë që Hajrushin e nxorën jashtë objektit. Disa nga ushtarët e Arkanit e lagën me ujë, thoshin se po e pagëzonin. Pastaj e tërhoqën brenda objektit përsëri. Pastaj erdhi Arkani dhe disa nga ushtarët shkuan i treguan se çfarë ndodhi. Arkani erdhi tek unë dhe m’i kërkoi filmat e aparatit. Ne debatuam për pak kohë dhe fatkeqësisht u desh t’ia jepja disa nga filmat. Kjo ishte hera e fundit që e pashë Arkanin.
Tëvë1: Po gjatë masakrës së Srebrenicës, ku ndodheshit në atë kohë?
Haviv: Atë kohë unë isha në kufirin e Bosnjës, duke raportuar për njerëzit që vazhdonin të largoheshin. Njerëzit ishin në shok, të habitur se si arritën të shpëtonin.
Tëvë1: Cili ishte momenti më i vështirë gjatë qëndrimit tuaj në Bosnje dhe Hercegovinë? A kishte ndonjë moment kur jeta juaj ishte në rrezik?
Haviv: Si shumica e njerëzve që ishin aty dhe i përjetuan këto momente, jeta jonë ishte në rrezik, posaçërisht nga snajperistët. Unë isha me fat që nuk u lëndova asnjëherë por shumë herë u mora si i burgosur. Madje në një rast u desh që shteti im të intervenonte që unë të lirohesha.
Tëvë1: Gjithë këto vrasje në Bosnje, por, njerëzit e Arkanit kryen edhe shumë vrasje në Kosovë disa vjet më vonë. Mund të na jepni ndonjë detaj me shumë për këtë njësit?
Haviv: Në Kosovë unë isha gati gjithë luftën, por kurrë nuk u takova me njerëzit e Arkanit. Sepse më thanë se unë isha në listën e tyre për t’u vrarë, kësisoj përpiqesha që t’i shmang çdoherë. Megjithatë, reputacioni i Arkanit në Kosovë kishte arritur deri në atë pikë, saqë mjaftonte një thashetheme që Arkani po shkonte drejt tyre dhe ata largoheshin nga shtëpitë. Mendoj që kjo nuk ishte deri në mes apo fundi të luftës, derisa njerëzit e Arkanit në një rast u përballën me UÇK-në dhe u mposhtën.
Tëvë1: Fotot që ju i bëtë u shpërndanë në gjithë botën. Por, vetëm tani një magazinë amerikane e zbuloi që njëri nga pjesëtarët e grupit t ëArkanit, i quajtur, Sergjan Guloboviq, tani është një DJ i njohur në Serbi. A u befasuat kur e zbuluat që këta njerëz nuk u përballën kurrë më drejtësinë?
Haviv: Një nga rezultatet e luftërave në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë është se kryesit e krimeve të luftës jetojnë në mesin e viktimave të tyre, pa pasur frikë nga drejtësia. Nuk është vetëm ky rast, por në shumë raste viktimat i shohin autorët e krimeve në park, shkollë apo edhe në market. Fatkeqësisht drejtësia po punon shumë ngadalë.
Tëvë1: Sipas juve, a është DJ Max i njëjti me Sërgjan Gulobovic, të cilin e fotografove në Bosnje dhe Hercegovinë.
Haviv: Nuk kam ndonjë mundësi që ta vërtetoj këtë, sepse nuk jemi prezantuar ndonjëherë më ushtarët, prandaj nuk e di se si ishte emri i personit që e fotografova.
Tëvë1: Ju e mbuluat luftën në Bosnje si gazetar, por ku ishit në luftën e Kosovës?
Haviv: Në Kosovë kalova më shumë së 1 vit duke e mbuluar luftën, po ashtu e isha në Kukës dhe në Mal të Zi. Po ashtu u ktheva në Prishtinë për Ditën e Çlirimit. Kosova është një vend që e kam thellë në zemrën time. Kur e shohim luftën e Bosnjës, u deshën 4 vjet që të kishte një reagim ndërkombëtar, kur filloi lufta në Kosovë reagimet ishin shumë më të shpejta dhe rol të madh në këtë kishin edhe gazetarët.
Tëvë1: Gjatë qëndrimit në Kosovë, a keni dëgjuar për familjen Jashari, masakrën e Reçakut apo më vonë edhe për rastin e vëllezërve Bytyqi?
Haviv: Rasti i familjes Jashari është një rast shumë i njohur, unë nuk isha atje kur ndodhi por kolegët e mi ishin aty për ta dokumentuar të gjithë ngjarjen. Fatkeqësisht kishte shumë raste të tilla në Kosovë, si ajo që ndodhi në Mejë. Është ende e rëndësishme që të njihen këto raste që ndodhën.
Tëvë1: Tani ish-liderët e UÇK-së ndodhën për gjykim në Hagë, por shumë serbë, si rasti i Gulobovicit, janë të lirë dhe nuk u përballën asnjëherë me drejtësinë, si e komentoni këtë?
Haviv: Mendoj që asnjëherë palë nuk do të jenë plotësisht të pafajshme. Lufta në Kosovë ishte shumë brutale dhe mendoj që ish-liderët e UÇK-së duhet t’i nënshtrohen këtij procesi, por në të njëjtën kohë, çdokush dhe çdonjëri që mendohet se ka kryer krime lufte, duhet t’i nënshtrohet një procesi të njëjtë.
Tëvë1: A mund ta ndani me ne ndonjë moment nga qëndrimi juaj në Kosovë, që ka mbetur në mendjen tuaj?
Haviv: Ka shumë momente, por ai që më kujtohet tani është dita kur NATO filloi bombardimet dhe unë isha në Prishtinë dhe ishte një moment frike, sepse njerëzit nuk e dinin se cfarë do të ndodhte të nesërmen. Unë duhet ta largohesha sepse me thanë që po vinte Arkani. T’i lija prapa kosovarët pa ndonjë mbikqyrës nga përendimi, ishte vendim shumë i vështirë për tu marrë. Të qëndroja në kufi në Kukës dhe të shihja shumë njerëz ndaj të cilëve po bëjën spastrim etnik, është dicka që nuk do ta harrojë kurrë.
Tëvë1: Zotëri Haviv, faleminderit për kohën tuaj.
Intervista e realizuar nga gazetari Fidan Zejnullahu.







