Real Madrid ka një plan të qartë në rast se arrihet shitja e Rodrygos, i cili është në shënjestrën e Manchester Cityt dhe Pep Guardiolës.
Klubi do të nisë menjëherë ndjekjen për të transferuar Ibrahima Konate nga Liverpool dhe Adam Wharton nga Crystal Palace.
Mesfushori i ri anglez konsiderohet si pjesë kyçe për të përforcuar mesfushën e Realit. Ai është lojtar defensiv, por me vizion të shkëlqyer loje, duke regjistruar një saktësi pasimesh prej 87 për qind dhe duke spikatur në rikuperimin e topave.
Qendërmbrojtësi francez në anën tjetër është përzgjedhur për të sjellë forcë fizike dhe eksperiencë ndërkombëtare në repartin e prapavijës së “Los Blancos”. Me dyshime mbi vazhdimësinë e Eder Militao dhe moshën e Antonio Rudiger, Konate shihet si zëvendësuesi ideal afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbrojtje.
Sipas raportimeve nga Defensa Central, largimi i Rodrygos, një operacion që vlerësohet rreth 100 milionë euro, do t’i jepte drejtuesve sportivë të klubit madrilen hapësirën ekonomike për të realizuar të dy blerjet, që janë kërkesa të drejtpërdrejta të trajnerit Xabi Alonso.
Zyrtarisht, në Valdebebas mesazhi është i qartë: skuadra është e mbyllur.
Megjithatë, huazimi i fanellës me numrin “30” për Franco Mastantuono dhe përfshirja e tij në ekipin e parë kanë ndezur spekulime për një lëvizje të mundshme para se të mbyllet afati kalimtar.
Shitja e Rodrygos do të lehtësonte ndjeshëm faturën e pagave dhe do të gjeneronte një hapësirë të mjaftueshme ekonomike për të përmbushur kërkesat e trajnerit të ri.
Raportohet gjithashtu se Real Madrid është i gatshëm të ulë kërkesat ekonomike për të mbyllur largimin e brazilianit, nëse do të ishte e nevojshme.