Ish-kapiteni i kombëtares së Kosovës, Anel Rashkaj, ka folur për ecurinë e Dardanëve në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke theksuar progresin e madh të skuadrës dhe seriozitetin me të cilin tashmë shihet nga rivalët.
Kosova është në prag të dy ndeshjeve vendimtare për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026 kundër Sllovenisë në udhëtim më 15 nëntor dhe kundër Zvicrës në Prishtinë me 18 nëntor dhe Rashkaj, duke folur në një intervistë për KosovaPress, thotë se dardanët janë befasia më e madhe e grupit ku ndodhet edhe Suedia.
“Nga fillimi ne e kemi ditur se është një grup shumë i vështirë sepse të gjitha skuadrat janë skuadra që marrin pjesë në kampionate evropiane dhe botërore dhe kanë pasur rezultate shumë të mira. Kështu që nga fillimi e kemi ditur se është një grup shumë i vështirë por mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë dhe kemi bërë ndoshta befasi për shkak se e kemi mposhtur Suedinë dy herë, një Suedi shumë të fortë dhe kemi bërë një punë shumë të mirë deri më tani pasi jemi në vendin e dytë. Sllovenia poashru ka qenë një prej ekipeve që ka qenë në kampionatin evropian dhe kemi bërë një punë shumë të mirë deri më tani”, thotë fillimisht Rashkaj.
Sipas tij, rezultatet e fundit kanë ndryshuar perceptimin e kundërshtarëve, të cilët tani e marrin shumë më seriozisht Kosovën si një ekip me cilësi dhe karakter fitues.
“Normal që duke marrë parasysh këto rezultatet e fundit që i kemi pasur normal që tani besojmë më shumë dhe pse jo kur kemi mposhtur Suedinë edhe brenda edhe jashtë pse mos ta mposhtim edhe Slloveninë jashtë, edhe pse mendoj se Sllovenia do të jetë ndeshje e vështirë absolutisht ndeshje e vështirë sepse tani mendoj që ekipin tonë do ta marrin edhe më seriozisht kundërshtarët. Ndoshta ka pasur një lloj nënçmimi më herët por tani e kanë parë që Kosova duhet të merret seriozisht dhe kjo mendoj që Sllovenia do të jetë një ekip shumë i fortë që ta mposhtim në këtë ndeshje por në dy ndeshje na mjafton një pikë për ta siguruar playoff-in por do të ishte fantastike me të vërtetë që nëse Suedia merr pikë në Zvicër dhe ne ta mposhtim Slloveninë që të jetë një finale në Prishtinë”, vijon tutje ish-kapiteni i Kosovës.
Ai e konsideron rikthimin e Amir Rrahmanit si një shtesë të jashtëzakonshme për mbrojtjen e Kosovës, duke theksuar përvojën dhe nivelin e lartë të futbollistit të Napolit.
“Kalibrin e Amirit nuk mund ta gjesh shumë lehtë në ekip. Kalibri i Amirit është një kalibër shumë i lartë, luan në një prej ekipeve me të forta në Evropë dhe nuk ka nevojë ta komentojmë shumë kalibrin e Amirit, e dimë të gjithë se çfarë kalibri ka dhe çfarë ka arritur deri më tani, kështu që normal se është një prej lojtarëve kyç të kombëtares sonë, ajo nuk diskutohet. Do të jetë një ndihmë shumë e madhe e mbrojtjes tonë që mendoj se është duke bërë punë shumë të mirë mbrojtja jonë, këtu kemi pasur probleme më herët dhe e kemi bërë një defanzivë shumë më solide”, deklaron Rashkaj.
Në fund, Rashkaj ndalet edhe te çështja e shpërblimeve për lojtarët, duke e cilësuar si praktikë të zakonshme në futbollin ndërkombëtar.
“Mendoj që është një gjë shumë normale, nuk është kjo vetëm për Kosovën ose për kombëtaren tonë por kjo është në përgjithësi në të gjithë Evropën, në të gjithë botën kombëtaret marrin bonuse të ndryshme në rast se kualifikimi ose në rast suksesi ose në rast fitoreje. Kështu që me siguri ndoshta do të ketë dhe nuk është ndonjë befasi e madhe ë, është diçka shumë normale në të gjitha kombëtaret”, tha në fund Rashkaj.
Momentalisht, Kosova renditet e dyta në grupin B me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra e vendit të parë dhe katër me shumë se Sllovenia e vendit të tretë dhe me vetëm një pikë të fituar ndaj sllovenëve, dardanët do ta siguronin fazën e playoff-it për Botërorin 2026.










