Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas anulimit të takimit në Athinë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të diskutohej për organizimin e “Prishtina 2030”.
Rama ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme për situatën e krijuar.
Në reagimin e tij, ai ka renditur tri arsyet që, sipas njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, çuan në anulimin e takimit: mungesën e përgjigjeve, obligimet e papërmbushura dhe moskonfirmimin e delegacionit brenda afatit.
“Pas të gjitha paralajmërimeve, tani anulohet edhe takimi ku duhej të bëheshin përpjekjet e fundit për të mos ua humbur qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike!”, ka shkruar Rama.
Kreu i Prishtinës ka kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga institucionet qendrore, duke e cilësuar situatën si skandal.
“Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet të japë llogari menjëherë!!! Ky është skandal! Ky është turpi i shtetit tonë”, ka përfunduar Rama.







