Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ministrja e Kulturës dhe Sportit, Saranda Bogujevci, kanë shkëmbyer kritika në rrjetet sociale lidhur me renovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Rama ka kritikuar zgjatjen e punimeve në objektin e teatrit, duke thënë se renovimi po vazhdon tash e pesë vjet.
Ai ka shprehur pakënaqësi edhe për ndërhyrjet në ndërtesë, si dhe për mënyrën se si trajtohet trashëgimia kulturore në kryeqytet.
“A po e njihni këtë objekt? Është Teatri Kombëtar i Kosovës, në mes të Prishtinës, që tash e pesë vjet është në renovim”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka kritikuar gjithashtu Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e zbatimit të kritereve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Prishtinë.
Pas reagimit të Ramës, ministrja Saranda Bogujevci i është përgjigjur përmes një postimi në Facebook, duke mbrojtur mënyrën e realizimit të projektit dhe duke theksuar respektimin e ligjit.
“Përparim Rama, për dallim nga ju, ne trashëgiminë kulturore nuk e trajtojmë sipas interesave të ditës, por me përgjegjësi dhe respektim të ligjit”, ka shkruar Bogujevci.
Ajo ka bërë të ditur se në renovimin e Teatrit Kombëtar po investohen mbi shtatë milionë euro dhe se punimet po vazhdojnë me dinamikë të lartë.
Sipas ministres, në hartimin e projektit dhe mbikëqyrjen e punimeve janë përfshirë profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, ndërsa punimet po realizohen nga operatorë të licencuar për konservim.
Bogujevci ka theksuar se projekti synon modernizimin e teatrit, krijimin e kushteve më të mira për artistët, stafin dhe publikun, si dhe ruajtjen e vlerave historike të ndërtesës.
Në përgjigjen e saj, ministrja ka kritikuar edhe punën e kryetarit të Prishtinës, duke e akuzuar se po e përdor projektin për sulme politike.
“Kisha pas qejf që, me të njëjtin seriozitet me të cilin punojmë ne për trashëgiminë kulturore, të punonit edhe ju për Prishtinën”, ka shkruar ajo.
Në fund, Bogujevci ka ritheksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të mbështetet në punë konkrete, profesionalizëm dhe respektim të ligjit, duke shtuar se ajo nuk mbrohet me akuza, por me përgjegjësi dhe veprime./teve1.info/







