Qytetarët ankohen se po rrezikohet siguria e tyre nga përdorimi i trotineteve elektrikë.
“Të rrezikuar edhe sipas mendimit tim i kisha ndaluar rreptësisht, bilës nën moshën 25 vjeçare kisha thanë mos të ngasin hiç. Është një mjet shumë, shumë, shumë, i rrezikshëm”, tha qytetari, Rexhep Sopjani.
“Unë jam këtu që një kohë të gjatë e po e shoh këtë dukuri shqetësuese, këtu jo që nuk e ndalin po këtu bëjnë edhe gara. Pak më parë njëri veç sa nuk më shkeli, kjo është shëtitore këtu kalojnë, nënat me fëmijë. Do të duhet të ndiheshin të qetë e të sigurt për fëmijët e tyre, këtu fëmijë e të rritur janë të rrezikuar shumë. Kërkojë nga organet përgjegjëse të ndërmarrin dicka sa nuk është bërë vonë”, tha qytetari Mirsad Krasniqi.
E për këtë dukuri, eksperti i komunikacionit, Nol Deda, po i fajëson prindërit.
“Nuk do të flas fare për drejtimin 12, 11, 10, e më poshtë se nuk kanë të drejtë fare për me dal. Unë jam dëshmitar kur e shoh që edhe fëmijët i shfrytëzojnë sheshet edhe pjesët e tjera me një shpejtësi 20/30 km në orë. Aty është faji tek prindi, për shkak se në momentin që ata ia japin edhe trotinetin edhe gjërat e tjera të cilat e shfrytëzojnë edhe energjinë elektrike për lëvizje aty zhvillohet shpejtësi jashtëzakonisht e madhe”.
Deda thotë se për përdorimin i trotineteve elektrik, ka rregulla, por nuk po respektohen.
“Fati më i keqi është se mbikëqyrja dhe dënimet janë minimum sa i përket drejtuesve të këtyre mjeteve. Pikërisht është ajo se ata nuk e respektojnë kahen e lëvizjes ose të drejtën e tyre të lëvizjes vetëm në shiritin e qarkullimit atë të krahut të djathtë për motorët, derisa ata i përdorin edhe shtigjet për biçikleta pastaj i përdorin edhe sheshet dhe vendet publike ku mjetet e tjera nuk kanë të drejtë të lëvizin”.
Ndërsa nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Tëvë1, thonë se për 1 vit e gjysmë, u shënuan 17 aksidente me fatalitet ku u përfshinë mjetet e transportit me dy rrota.
“Gjatë vitit 2025 në aksidente të trafikut të përfshira kanë qenë edhe mjetet me dy rrota ku nga 733 aksidente, 12 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa gjatë periudhës janar – maj 2026 nga 260 aksidente ku të përfshira kanë qenë mjetet me dy rrota, 5 prej tyre kanë qenë me fatalitet”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Nga Policia e Kosovës thonë se kanë shqiptuar vazhdimisht gjoba edhe për ngasësit e mjeteve me dy rrota si dhe është bërë konfiskimi i tyre.






