Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se ka përfunduar pastrimi i rrënojave pranë Klinikës së Pulmologjisë, një hapësirë e cila siç thuhet për një kohë të gjatë ka paraqitur rrezik për pacientët, përcjellësit dhe stafin e QKUK-së, për shkak të pranisë së qenve endacakë dhe elementeve potencialisht keqbërëse.
Sipas njoftimit, me këtë ndërhyrje është eliminuar një zonë e pasigurt dhe e degraduar, duke krijuar një ambient më të hapur, më të pastër dhe më të sigurt, si dhe duke përmirësuar qarkullimin e ajrit dhe funksionalitetin e hapësirës përreth klinikës.
Tutje, nga QKUK theksojnë se aktivitetet e pastrimit do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të oborrit të institucionit, me qëllim të rritjes së sigurisë, pastërtisë dhe përmirësimit të kushteve të përgjithshme për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore.







