Me dhjetëra flamuj kombëtar ishin vendosur sot nëpër rrugët kryesore të Klinës së Ulët të Skenderajt disa orë para varrimit të Faton Hajrizit.
Për të përcjell kufomën e tij, kishin ardhur qindra qytetarë.
Shumica e tyre mbanin flamuj me emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fanellat me mbishkrimet “Liria ka Emër”.
Njëri nga pjesëmarrësit në këtë ceremoni, thotë se Hajrizi ishte një djalë shumë i ndershëm dhe që shoqërohej më të gjitha moshat.
“Faton Hajziri ka qenë një djalë i ndershëm dhe shumë i mirë, e kemi dashur të gjithë. Jemi tepër të mërzitur me vdekjen e tij” , tha Shqir Smakiqi – qytetar.
Kurse Rifat Rezalla që kishte ardhur nga qyteti i Mitrovicës, nuk mund t’i përmbahej lotëve për vdekjen e Faton Hajrizit, edhe ky glorifikoi figurën e të ndjerit.
“Një njeri i tillë që u sakrifikua për vendin që nga viti 1999 dhe deri më tani duhet të vlerësohet. Unë jam nisur nga Mitrovica me dy automjete për ardhur këtu. E kam parë si obligim të vija këtu për varrimin e Faton Hajrizit” , u shpreh ai.
Gjithë bashkë erdhën deri të varrezat.
Këtu, brohoritën fortë për të ndjerin.
Shkak i numri të madh të qytetarëve, procesi i varrimit nuk ishte aspak i lehtë.
Kjo bëri që edhe hoxha të bënte thirrje të vazhdueshme për qetësi.
E familjarët thonë se Fatoni ka kaluar nëpër shumë sfida gjatë jetës së tij.
“Fatoni ka kaluar nëpër shumë sfida siç edhe keni dëgjuar nga intervistat që ai ka dhënë. Le të mbetet i përjetshëm kujtimi për të”
Faton Hajrizi, dyshohet se e vrau një polic serb dhe një tjetër e plagosi, në orët e para të 19 korrikut në Lloznicë.
39 vjeçari ishte në kërkim të institucioneve të Kosovës pasi që iku nga Burgu i Smrekonicës me 6 korrik.