Sipas Qeverisë në takimin e zhvilluar në Tiranë është diskutuar për zhvillimet aktuale në të dy vendet.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për teve1.info, tha se me theks të veçantë u diskutua për sfidat energjetike dhe shkëmbimet që po bëjnë KEK me KESh
“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në këtë takim dy kryeministrat kanë folur për çështjet e politikave publike e qeveritare dhe socio-ekonomike në Kosovë e Shqipëri, me theks të veçantë në sfidat energjetike dhe shkëmbimin që po bëjnë KEK me KESh”, ka thënë Kryeziu për teve1.info.
Kurti e Rama kanë zhvilluar një takim të paparalajmëruar sot në Tiranë. Takimi kishte zgjatur rreth dy orë, pas të cilit asnjëri nga kryeministrat nuk u deklarua për medie.
Kryeministri Kurti kishte lënë një gjysmë konferencën për medie pas takimit me anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së, me arsyetimin se ka një takim urgjent./teve1.info/







