Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” janë shprehur të pakënaqur me vendimin e Komunës për hapjen e tenderit për kompani private për mbledhjen e mbeturinave. E nga Drejtoria e Shërbimeve Publike kanë një arsye për këtë.
“Që 25 vite punoj këtu, dy këmbët i kom lanë këtu. Sot mbas 25 viteve me mu rreziku kafshata e bukës ku mbesë unë, katër fëmijë i kam, ku mbesë unë, ata duhet me i qit në rrugë”
Ky punëtor i ndërmarrjes “Pastrimi” ka një hall.
Kjo pasi që Komuna e Prishtinës ka shpallur një procedurë të tenderimit për kompani private për mbledhjen e mbeturinave në 6 llote në vlerë 16.5 milionë.
E këtë vendim fuqishëm po e kundërshtojnë edhe punëtorët e tjerë.
“Nuk e shoh të arsyeshme me dal tender publik në taksat e këtyre qytetarëve 16 milionë euro me ju dhanë kompanive private me ka 30 punëtorë kur e kem donacionin hapur 20 milion euro makineri të reja kjo nuk do koment”, ka thënë puntori, Sedat Rukovci.
Ai ka edhe një lutje për kryetarin Përparim Rama.
“Ju kisha lut të keni parasysh 900 punëtorë ka dy anëtarë bojnë 1800 mbesin pa bukë klasa punëtorë pikë. Ju kisha lut edhe një herë mos e shkatërroni kompaninë “ Pastrimi”. Kompani kjo e themeluar ndër të parat në Prishtinë 1957”, ka deklaruar ai.
Kërkesë të njëjtë ka edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Florim Cakiqi.
“Ju kisha lut edhe kryetarit edhe drejtorit kolegët pa punë mos me i lanë, kjo firmë ka ekzistua që 70 vite edhe ka me ekzistua”,ka thënë ai.
E Bekim Brestovci nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë, thotë se me ardhjen e kompanive të reja, nuk do rrezikohet ndërmarrja “Pastrimi”.
“Nuk mendoj se rrezikohet ndërmarrja “Pastrimi”, sepse atë qe e kemi bërë ne kemi shpall një procedurë të tenderimit jemi të interesuar t’i kyçim pesë kompani gjithsej për tërë Prishtinën dhe një kompani për zonat periferike, fshatrat, zonat rurale. Kështu që domosdoshmërisht edhe ‘Pastrimi’ do e ketë një llot të krejt kësaj pjese të cilët ne e parashohim ta japim pastaj për shërbime për vitet 2025-2027”.
Nga ky dikaster akuzuan KRM “Pastrimi” për moskryerjen e shërbimeve.
“Krejt kjo çfarë po ndodhë është si pasojë e mos kryerjes së shërbimeve nga ana e ’Pastrimit’, qytetarët e kryeqytetit e dinë që për shumë vite kemi qenë në një gjendje tepër të rënduar sa i përket menaxhimit të mbeturinave, kemi pas një gjendje aq të keqe sa ka pas rrezikshmëri të madhe prej epidemive të ndryshme”, ka deklaruar ai.
E nga opozita në kryeqytet, thonë se qëllimi i udhëheqësve të Komunës është bankrotimi i ndërrmarrjes.
“Këta e kanë domethënë vetëm si qëllim me bankrotu ndërmarrjen ‘Pastrimi’, në mënyrë që me u fut edhe operatoret privatë që janë njerëz të tyre të afërt”,ka thënë Besart Krasniqi nga LVV.
Ani pse më së shumti u përmend dhe kritikua, kryetari Përparim Rama nuk ishte i pranishëm në dëgjimin publik për menaxhimin e mbeturinave.