Superliga e Kosovës në futboll, do të vazhdoj me xhiron e rregullt që do të zhvillohet gjatë kësaj jave.
Për tri ditë, do të luhen pesë ndeshje në kuadër të xhiros së 11-të, e cila nis të premten mbrëma dhe përfundon të dielën mbrëma.
Edhe kjo xhiro do të jetë interesante pasi starton me derbi dhe përfundon me superderbi, ndonëse të gjitha ndeshjet pritet të ofrojnë lojë të mirë dhe rivalitet në fushë.
Për dallim prej xhirove tjera, ndeshjet e kësaj xhiroje do të zhvillohen në tri orare, në orën 13:00, 14:00 dhe 18:00.
Megjithatë, xhiro do të hapet të premten, ku prej orës 18:00 do të përballen Gjilani dhe Llapi, për të vazhduar pastaj të shtunën me dy ndeshje dhe të dielën, me dy duelet tjera.
Vushtrria – Ballkani luhet të shtunën në Podujevë nga ora 14:00, ndërsa prej orës 18:00 do të jetë ndeshje ndërmjet Drenicës dhe Malishevës.
Xhiro do të mbyllet të dielën, ku fillimisht në orën 13:00 fillon përballja Feronikeli ’74 – Dukagjini, ndërsa në të njejtën kohë do të jetë kryendeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.







