Pa asnjë dyshim, ndeshja kryesore apo kryendeshja e xhiros së 11-të në Superligën e Kosovës në futboll, do të jetë ajo ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.
Kjo përballje edhe do ta karakterizojë këtë xhiro të elitës së futbollit kosovar, ndërsa do të zhvillohet të dielën.
Ndeshja luhet në Kampin Nacional të FFK-së, në Hajvali dhe nis në orën 13:00, ka bërë të ditur federata të enjten.
Në fakt, kjo është hera e parë që Prishtina dhe Drita përballen me njëra tjetrën, pasi dueli i xhiros së tretë nuk është zhvilluar shkaku i angazhimeve të kampiones në fuqi në kualifikimet e garave evropiane.
Prishtina është skuadra e vetme që nuk di për humbje në Superligë këtë sezon, ku në nëntë ndeshje të luajtura ka regjistruar shtatë fitore dhe dy barazime.
Ndanë kreun e tabelës së bashku me Malishevën, që kanë nga 23 pikë kurse Drita zë vendin e katërt dhe ka 17 pikë të tubuara.








