Banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë, gjatë protestës së mbajtur sot para Komunës së Prishtinës kanë kërkuar që koeficienti i lagjes nga 1.5 të bëhet në 2.4 në mënyrë që të ketë një barazi për të gjitha pronat publike dhe private në Kalabri.
Në seancën e kaluar të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, i pari i kryeqytetit Përparim Rama, ka premtuar që koeficienti të rritet në 2.4, por pas premtimeve të tij ai është shprehur që koeficienti në pjesën e stacionit të autobusëve në këtë lagje të bëhet 7.0, ndërsa një pjesë tjetër të mbetet 1.5, koeficient të cilin nuk po e pranojnë banorët e kësaj lagjeje.
Njëri nga banorët e kësaj lagjeje, Ilir Krasniqi, ka thënë se mos rritja e koeficientit ka dëmtuar shumë lagjen sepse zhvillimi është rritur, ndërsa Kalabria ka mbetur mbrapa me ndërtime.
“Kemi kërkuar Kalabria me u bë me një plan, me planin zhvillimor të lagjes edhe kërkojmë që sa më shpejt të miratohet ky plan por sipas kërkesave të banorëve që i kemi prezantuar edhe në dëgjimi publik që është mbajtur. Më herët kemi pasur takime me drejtorët dhe kryetarin Rama në kabinetin e tij. Në takime gjithmonë ka qenë qasja pozitive, po kryhet plani, jemi duke punuar për plan por u bënë më shumë se dy vite e gjysmë që kemi ngecur me planin e Kalabrisë”, tha Krasniqi.
Ndërsa, një banor tjetër, Faton Neziri ka shtuar se janë pesë ndërtesa që pritet të ndërtohen prej 22 katësh, dhe kjo sipas tij është e palogjikshme që një pjesë të madhe të Emshirit të mos lejohet të ndërtohet ndërtuar, shkruan KP.
“Kemi ardhur me e shpreh pakënaqësinë tonë në lidhje me koeficientin që na ka caktuar kryetari Rama, ka premtuar ndryshe në fushatë me qenë 2.4 koeficienti ka premtuar edhe pas fushatës dhe në moment të fundit e ka ndryshuar kur ka dalur plani për lagjen Emshir, pjesën më të madhe të lagjes e ka lënë 1.5,ndërsa në moment të fundit e ka caktuar një koeficient 7.0 në parcelën e stacionit të autobusëve, një parcelë prej 15 hektarësh. Tani kur e llogaritim me koeficientin 7.0 kundër 784 mijë metra katrorë që ka me u ndërtuar, janë pesë ndërtesa që pritet minimumi 22 katë e tutje me shku. Është e palogjikshme në pjesën më të madhe të Emshirit mos me lënë me u ndërtuar. Me 7.0 është diçka jashtë normales”, ka shtuar Neziri.
Përkrahjen e këtij plani, banorët e kanë edhe nga asamblisti nga partia NISMA, Endrit Zabërgja, i cili ka shtuar se është bërë një lojë pingpongu dhe ka kaluar në një betejë politike.
“Kemi pasur materialin e plotë, diçka që ka pasur nevojë që të jetë. Që nga fillimi kam qenë me mbështetje të interesave të qytetarëve, që kanë votuar kundër anulimit të vendimit, ashtu do të mundohem të jem edhe sot, ka kërkesa të ndryshme të cilat pritet t’i diskutojmë. Me të vërtetë është bërë një lojë pingpongu në këtë temë, dhe më shumë sesa përmbajtësore ka kaluar në temë politike duke u munduar të fajësohen. Fatkeqësisht nuk kemi pasur një ndërgjegje reale për qytetarët në atë zonë dhe është kthyer ne një betejë politike”, ka shtuar ai.
Pas protestës së zhvilluar nga banorët e kësaj lagje, ka filluar seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku do të flitet rreth këtij problemi dhe pritet që të votohet për planin zhvillimor.