Ashtu sikurse ishte paralajmëruar ka nisur protesta e studentëve, në ditën e 13-të, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Marshimi pastaj ka vazhduar para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku ka pasur tensionim të situatës pasi protestuesit u kanë vënë flakën karrigeve të vendosura mëngjesin e sotëm nga kryeministri Edi Rama si simbol i ftesës së tij për dialog me studentët, raportojnë mediat shqiptare.
Karriget ishin nxjerrë mëngjesin e sotëm përpara godinës së qeverisë, ndërsa Rama përsëriti thirrjen për t’u ulur në bisedime me përfaqësuesit e protestës, një kërkesë që e ka bërë prej disa ditësh.
Studentët dhe të rinjtë po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që ky i fundit prezantoi sot paketën e re ligjore, që parashikon gjoba dhe masa më të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme.








