Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbajtur seanca e kolegjit të gjyqtarëve në të cilën janë elaboruar ankesa e Prokurorisë dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Valmir Salihu dhe Florian Mitev, ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, me të cilin Salihu ishte dënuar me 25 vjet burgim kurse Mitev me 8 vjet burgim për rastin e vrasjes së S.O. Prokuroria ka kërkuar ashpërsimin e dënimit, kurse mbrojtja rigjykim apo ricilësim të veprave penale.
Gjykata Themelore në Gjilan më 24 dhjetor 2025 të akuzuarin Valmir Salihu e kishte shpallur fajtorë dhe dënuar me dënim unik prej 25 vite burgim për “Vrasje të rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa të akuzuarin Florian Mitev e kishte shpallur fajtor për “Dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” dhe e kishte dënuar me 8 vjet burgim.
Kolegji i gjyqtarëve që gjykon këtë çështje në Apel, janë kryetari i kolegjit Arben Hoti, gjyqtarja referuese Kadrije Gogaj-Lubishtani dhe anëtar gjyqtari Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtarja Gogaj-Lubishtani tha se ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte paraqitur Prokuroria lidhur me lartësinë e sanksionit penal, ndërsa mbrojtja kishte paraqitur ankesë për të gjitha suazat mbi të cilat mund të parashtrohet ankesë.
Prokuroria, përmes ankesës ka atakuar aktgjykimin e Themelores sa i përket sanksionit penal, dhe ka propozuar dënim më të ashpër duke pasur parasysh rrethanat e rastit. Për elaborimin e ankesës, nuk ishte prezent askush nga Prokuroria Themelore.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Salihu, avokati Shemsedin Piraj, ka atakuar vendimin e Themelores për shkak të shkeljeve esenciale të ligjit, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, dhe lartësisë së sanksionit penal.
Avokati Piraj tha se i akuzuari nuk kishte për qëllim hakmarrjen. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin lidhur me rrethanat rënduese në vendimin e Themelores, duke shtuar se masat disiplinore gjatë paraburgimit dhe dënimet me të holla nuk mund të konsiderohen rrethanë rënduese.
Sipas ankesës, ai ka kërkuar prishjen e aktgjykimit të shkallës së parë dhe kthim e rastit në rigjykim, apo ricilësim të veprës penale nga Apeli nga “Vrasje e rëndë” në “Lëndim të rëndë trupor”- me pasojë vdekjen.
Edhe i akuzuari Valmir Salihu deklaroi se përkrah mbrojtësin e tij dhe shtoi se të dëmtuarin, tani të ndjerë, e ka sulmuar nga frika dhe nuk ka pasur qëllim vrasjen e tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Florian Mitev, avokati Shefqet Xhelili, ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, si dhe lidhur me sanksionin penal.
Avokati Xhelili deklaroi se nuk ekzistojnë elementet e veprës penale, duke propozuar ricilësimin e veprës penale dhe shpalljen e të akuzuarit fajtor për veprën “Moslajmërimi i veprave penale” ose kthim të rastit në rigjykim.
Edhe i akuzuari Mitev përkrahu fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se është dëshmitar i kërcënimeve që ka pranuar i bashkëakuzuari, dhe se së bashku kishin vendosur të dorëzohen në Polici.
Ndryshe, sipas aktakuzës së 23 janarit 2025 të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i akuzuari Valmir Salihu akuzohet se me dashje e me qëllim hakmarrjen për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., duke e goditur me një predhë të revoles “Zoraki” në anën e pasme të shpinës, me ç’rast i njëjti rrëzohet dhe i akuzuari e godet me grusht dhe me shqelm, e më pas viktima ndërron jetë.
Me këtë, i akuzuari Salihu ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Valmir Salihu nga koha e pacaktuar e deri më 12 nëntor 2024, në Gjilan, ka mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar armën e zjarrit, revolen “Zoraki” .
Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Florian Mitev, në vende të ndryshme dhe me dashje kishte ndihmuar të akuzuarin Valmir Salihu në fshehjen e kryerësit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që me rastin e vrasjes ishte prezent në vendin e ngjarjes dhe të dy së bashku ishin larguar dhe ishin fshehur në mal deri në kohën kur u dorëzuan në Polici, me ç’rast i njëjti e kishte ndihmuar të akuzuarin Salihu lidhur me udhëtimin, ushqimin, dhe fshehjen e tij.







