Pas mungesave tashmë të konfirmuara te Kombëtarja e Kosovës në futboll për duelet e këtij muaji në Ligën e Kombeve, mbrojtësi Betim Fazliji është bashkuar në grumbullim me “Dardanët”.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të martën ka njoftuarse futbollisti i skuadrës zvicerane St.Gallen do të jetë në dispozicion të selektorit Franco Foda për duelet me Izraelin dhe Irlandën.
Mbrojtësi 27-vjeçar, i cili mund të aktivizohet edhe si mesfushor defensiv rikthehet te Kosova pas pesë muajve pasi paraqitjen e fundit, Fazliji e pati në miqësoren ndaj Andorrës të luajtur në muajin qershor.
Fazliji ka 23 ndeshje të luajtura me Kosovën prejse debutoi në vitin 2020 kurse në sezonin aktual te St. Galleni, ai ka regjistruar 12 paraqitje, duke shënuar 1 gol dhe bërë 1 asistim në të gjitha garat.
Kosovës në këtë grumbullim nuk do ti bashkohen Valmir Matoshi e Erblin Osmani për shkak të lëndimit kurse në dyshim mbetet Lumbardh Dellova.
Po ashtu, pjesë e këtyre ndeshjeve nuk do të jenë as Albian Hajdari e Vesel Demaku, ku Kosova të shtunën do të luajë në Prishtinë me Izraelin kurse pas tri ditësh në udhëtim me Irlandën.








