Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë.
Lidhur me këtë rast është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes zëdhënësit Drin Domi.
Domi për media ka bërë të ditur se rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa i dyshuari tashmë është identifikuar dhe ndodhet në arrati.
“Është iniciuar rast për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. I dyshuari është identifikuar dhe është në arrati. Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, deklaroi ai.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se i dyshuari është pronar i lokalit në të cilin ka ndodhur vrasja.
Për teve1.info, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graisha tha se i dyshuari është emër i njohur për policinë, ndërkohë që i njëjti gjendet në arrati.
“Dyshohet që vrasja të ketë ndodhur rreth orës 05:20 në një lokal në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë. Sipas informatave të para dyshohet se pronari i një lokali pas një mosmarrëveshje me një klient ka përdor armën e zjarrit me ç’rast një person ka mbetur i vdekur në vendngjarje (vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje) ndërsa një person tjetër i plagosur është dërguar në spitalin rajonal për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
I dyshuari (në arrati për momentin) është i njohur për policinë dhe njësitet policore janë në kërkim të tij. Në vendngjarje janë të gjitha njësitet relevante, duke kryer procedurat e nevojshme ligjore nën mbikëqyrje të afërt të kryeprokuroeit të shtetit”, tha ai. /teve1.info/




