Pas një kohe të gjatë, profesori amerikan Daniel Serwer vendosi të takojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili tash e pesë vjet po qëndron në dhomat e paraburgimit në Hagë.
Serwer tregoi arsyet pse vendosi ta takojë Thaçin, ndonëse, siç tha ai, jo gjithmonë kanë pasur raporte të mira mes tyre.
“Vendosa të shkoj sepse unë dhe presidenti Thaçi kishim pasur shumë biseda të mira ndër vite. Ai ishte treguar shumë i sjellshëm me mua kur e vizitova në Prishtinë, dhe gjithashtu jemi takuar shpesh në Uashington. Ne njiheshim që menjëherë pas luftës. Edhe pse kemi pasur mospajtime të forta lidhur me çështjen e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, mendova se kishte ardhur koha për të ripërtërirë marrëdhëniet me të dhe gjithashtu të mësoja më shumë për tribunalin. Po ashtu, kalova pak kohë me përfaqësuesin për çështje publike të gjykatës. Presidenti Thaçi ishte shumë miqësor dhe mikpritës. Në fakt, ai duhej ta kërkonte vetë takimin. Fillimisht e kërkova unë, por gjykata më informoi se kërkesa duhej të vinte prej tij. Kështu që ai e bëri këtë, dhe unë nuk do të diskutoj se çfarë thamë me njëri-tjetrin. Do të them vetëm që ishte një bisedë shumë e ngrohtë, që pasqyronte marrëdhënien e thellë dhe të qëndrueshme që kemi pasur ndër vite”, thotë Serwer për Tëvë1.
Profesori amerikan e cilësoi të padrejtë mbajtjen e gjatë në paraburgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shprehu dyshime se udhëheqja e UÇK-së i ka organizuar apo urdhëruar krimet që pretendon prokuroria.
“Pas luftës kishte padyshim vrasje, disa prej të cilave iu atribuoheshin anëtarëve të UÇK-së. Të gjithë e dinim këtë, ose të paktën i atribuonim atyre. Kjo është arsyeja pse sollëm udhëheqjen shqiptare në Lansdoëne në shtator të vitit 1999 për diskutime, sepse donim ta parandalonim përhapjen e kësaj situate dhe ta shmangnim kthimin e saj në një luftë civile midis shqiptarëve. Pra, po, pas luftës janë kryer krime, dhe nuk kam asnjë dyshim që disa prej tyre mund t’u atribuohen anëtarëve të UÇK-së. Pyetja këtu është nëse udhëheqja e UÇK-së i ka organizuar dhe urdhëruar ato krime. Dhe për këtë kam dyshimet e mia. Sidomos për Hashim Thaçin, i cili, sipas meje, ishte zëdhënës politik i UÇK-së dhe jo komandant aktiv ushtarak, madje as ushtar aktiv. Ai ma ka thënë vetë këtë në Lansdoëne”, shprehet Serwer.
Tutje, Serwer theksoi se Serbia ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e Gjykatës Speciale, duke arritur t’i bindë Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane për themelimin e saj.
“S’ka dyshim që Serbia ishte ajo që kërkoi krijimin e kësaj gjykate dhe arriti t’i bindte amerikanët dhe evropianët ta mbështesin. Edhe unë e kam mbështetur, por sinqerisht kam menduar se do të fokusohej në akuzat për trafik organesh, të cilat nga njëra anë ishin të neveritshme dhe të bujshme, por nga ana tjetër isha pothuajse i bindur se nuk ishin të vërteta. Dhe nëse ishin, atëherë në një shkallë shumë të vogël — ashtu siç më kishte thënë miku im, Clint. Mendoj se ka pasur shumë presion nga serbët dhe rusët. Shumë materiale të inteligjencës serbe iu dorëzuan gjykatës, dhe tani evropianët kanë shpenzuar qindra milionë euro për këtë institucion. Ata do të jenë nën presion të madh për ta shpallur dikë fajtor. Dhe kjo, sipas meje, është shumë fatkeqe”, thotë ai.
Krejt në fund profesori amerikan theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një përpjekje legjitime çlirimtare, e cila iu përgjigj krimeve të rënda të kryera nga policia dhe ushtria serbe. Sipas tij, UÇK-ja nuk duhet të trajtohet si një organizatë kriminale.
 
			





