Tensionet mbesin të larta në pjesën veriore të vendit, ku qytetarët serbë po vazhdojnë protestën kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
E këto zhvillime ne pjesën veriore të vendit i ka komentuar Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë.
Kupchan thotë se kryeministri Kurti është duke e respektuar ligjin, por që sipas tij gjatë këtij procesi ai ka bërë një gabim strategjik duke i dërguar me forcë kryetarët e rinj në objektet komunale.
Sipas tij ky veprim i shefit të ekzekutivit kosovar ka qenë provokues për komunitetin serb në Kosovë, me çka edhe ka nxitur protesta.
“Kryeministri Albin Kurti morri disa vendime të cilat mund të kenë qenë të ligjshme dhe politikisht atraktive, por ka bërë një gabim strategjik sepse pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë jashtëzakonisht e ulët. Përdorimi i njësiteve policore për ti shoqëruar kryetarët e rinj në katër komunat veriore ishte një veprim provokues prandaj edhe pati rezistencë nga serbet. Palët do duhej të fokusoheshin në marrëveshjen e arritur në Ohër dhe ti zgjidhnin problemet me diplomaci, por ja tani këto tensione e kanë ndryshuar situatën në terren” , tha ai për Tëvë 1.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se Kosova është e varur nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj edhe duhet t’i dëgjojë këshillat që vijnë nga diplomatët amerikanë.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani po i bëjnë presion të dyja palëve si Prishtinës ashtu dhe Beogradit. Por në këtë rast Kosova është më e varur nga Shtetet e Bashkuara, sepse pavarësinë e fitoi me mbështetjen e jashtëzakonshme të tyre, këtë gjë qeveria e Kosovës duhet ta ketë gjithmonë në mendje. Aleanca me SHBA-në është jetike për Kosovën, prandaj në këto raste do duhej të dëgjoheshin këshillat e amerikanëve”, thotë Kupchan.
Kupchan vlerëson se një pjesë të përgjegjësisë për situatën e tensionuar në veriun e vendit e mban dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për shkak të ndikimit që ka ai tek serbët lokalë në Kosovë.
Ai tutje thotë se duhet të krijohen kushte për zgjedhje të reja, dhe të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në to.
“Natyrisht që edhe Beogradi ka përgjegjësi shumë të madhe me atë se çfarë po ndodh në veriun e Kosovës, për shkak të ndikimit që ka Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbi banorët serbë në veri. Ai u bëri thirrje serbëve që të mos dalin në votime dhe ky ishte një vendim politikisht i gabuar i presidentit serb. Nëse serbët do të merrnin pjesë në këto zgjedhje atëherë ata do të kishin mundësi t’i zgjidhnin përfaqësuesit e tyre dhe te mos shkaktonin probleme para komunave. Tani zgjidhja më e mirë do të ishte që te ketë zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbeve në to”, vlerëson profesori amerikan.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, janë pajtuar me kërkesën e ndërkombëtarëve se duhet të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore.
Krerët shtetërorë kanë thënë se kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale, duhet të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës.