Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se vizita e emisarëve në selinë e NATO-s, ka pasur për qëllim informimin e detajuar me zhvillimet e fundit në veri.
“Besoj që i kanë marrë informatat e duhura dhe po ashtu janë informuar, ma merr mendja, për planet e KFOR-it, planet e NATO-s, në rast se eskalon situata në të ardhmen. Unë besoj që zotëri Escobar dhe zotëri Lajcak tash në vizitën që do ta bëjnë në Serbi dhe në Kosovë, do të kenë biseda të frytshme, biseda të cilat do t’i japin një dinamikë dialogut, shpresoj kështu dhe po ashtu do të jenë shumë më serioz në qasjen që do të kenë rreth arritjes së marrëveshjes finale që do të kenë mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Qalaj.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj thotë se këtë takim e sheh si paralajmërim të ndërkombëtarëve që nëse Kosova dhe Serbia nuk pajtohen, ata do ta marrin vetë procesin në duar.
“Bashkësia ndërkombëtare paralajmërimet e mëhershme që kishte bërë se kësaj here ka marrë për sipër më seriozisht zgjidhjen mes Kosovës edhe Serbisë, po tregon se kemi ardhur në një stad ku bashkësia ndërkombëtare synon të arrij një rezultat të caktuar i cili nuk do tu lihet në dorë palëve siç u ishte lënë deri më tani Kosovës dhe Serbisë që ato vete të merren vesh politikisht dhe t’i zgjidhin problemet e tyre, por do të marrin në dorë vet fatin e zgjidhjes së problemeve në Ballkan”, deklaroi Gecaj.
Gjatë muajit janar, pritet që Escobar e Lajcak të vizitojnë Kosovën e Serbinë, së bashku me emisarin gjerman Jens Plotner dhe atë francez Emmanuel Bonne.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.







