Policia e Kosovës ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit të mallrave në veri të vendit, gjatë kontrolleve të realizuara në Leposaviq.
Rasti i parë është regjistruar në fshatin Kamen, ku policia ka ndaluar një autobus pas informacioneve për mallra të dyshimta. Gjatë kontrollit, në bagazhin e autobusit janë gjetur 12 paketa me cigare të llojeve të ndryshme, me gjithsej 600 boksa.
Shoferi ka deklaruar se cigaret i kishte blerë në Mitrovicë, por inspektorët e Agjencisë Tatimore të Kosovës kanë konstatuar se për to nuk kishte dokumentacion valid. Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën penale “Tregti e ndaluar”.
Ndërkaq, rasti i dytë është evidentuar në fshatin Mihaliq, ku policia ka ndaluar dy automjete për kontroll. Aty janë gjetur cigare, pije alkoolike, detergjente dhe mallra të tjera, për të cilat dyshohet se nuk kishin dokumentacionin përkatës.
Mallrat e sekuestruara janë dërguar në Doganën e Kosovës për trajtim dhe procedura të mëtejme ligjore, me udhëzim të Prokurorit të Shtetit.







