Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se pas pranimit të informacioneve se më datën 15 tetor 2026 tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, dyshohet se janë përfshirë në një rast penal të ngacmimit dhe kontrollit të kundërligjshëm, ka trajtuar vetë informacionet fillestare, dhe sipas detyrës zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës.
“Policia e Kosovës, menjëherë pas pranimit dhe trajtimit të informacioneve, ka njoftuar zyrtarët kompetent të Inspektoratit Policor të Kosovës, me të cilët janë koordinuar për sigurimin dhe dokumentimin e të gjitha provave relevante lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi institucional, Policia e Kosovës thotë se ka siguruar dhe i ka dorëzuar Inspektoratit Policor të Kosovës provat dhe informacionet e kërkuara për trajtimin e mëtejmë të rastit.
“Policia e Kosovës po ashtu ka udhëzuar palën ankuese që të paraqitet në Inspektoratin Policor të Kosovës, për të dhënë informacionet/ deklaratën para zyrtarëve të njësisë së hetimeve të këtij institucioni”, njofton Policia.
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, Policia njofton se Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policor, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, të cilët menaxhmenti i Policisë së Kosovës i ka suspenduar.
Policia e Kosovës thotë se edhe në rastin e suspendimit të dy zyrtarëve policor të Stacionit Policor në Gjilan, Policia e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët i ka suspenduar nga detyra.
“Policia e Kosovës dëshmon përkushtimin e saj për transparencë dhe llogaridhënie të plotë, si dhe për bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, duke siguruar se çdo informacion për sjellje joprofesionale të mundshme të zyrtarëve policorë, do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me procedurat ligjore”, ka përfunduar njoftimi.







