Edhe një tjetër lëndim nga municioni ndodhi të hënën në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.
Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës mori disa lëndime kryesisht të lehta nga eksplodimi i municionit turk, përgjatë këtyre stërvitjeve.
Këtë rast e konfirmoi vet FSK-ja përmes një komunikate, duke treguar se lëndimet nuk ishin të rënda.
“Menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja shëndetësore e pjesëtarit është stabile. Rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale”, ka njoftuar nga FSK-ja.
Megjithatë, Tëvë1 ka mësuar përmes burimeve se disa pjesë të këtij municioni i kanë depërtuar ushtarit kryesisht në pjesën e këmbës.
Kjo nuk është hera e parë që ushtarët marrin plagë nga municioni, i cili dyshohet të jetë i skaduar.
Për këtë çështje, televizioni po ashtu ka mësuar se brenda FSK-së, nuk është paraparë të bëhet ndonjë zgjidhje, pasi ky lloj municioni gjendet në sasi të madhe në sirtarët e ushtrisë dhe duhet shpenzuar i tëri.
Gjatë së hënës, një incident tjetër i ndodhi një tjetër pjesëtari të Forcës.
Me veturë zyrtare, gjersa ishte i angazhuar në detyrë, ai pësoi një aksident trafiku në rajonin e Gjilanit.
“Rrethanat dhe shkaqet që kanë çuar deri te aksidenti i trafikut janë duke u trajtuar dhe sqaruar nga organet përkatëse. Si pasojë e aksidentit në trafik, pjesëtari ka pësuar lëndime, ku edhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Kësisoj, gjatë ditës u bë e ditur se i njëjti pritet që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik.
“Pjesëtari pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik në kliniken e Ortopedisë. Gjendja shëndetësore e përgjithshme e pjesëtarit është stabile”, thuhet tutje në njoftimin e FSK-së
Edhe për këtë rast, televizioni ka mësuar se sipas dyshimeve të para, deri te aksidenti erdhi si pasojë e mungesës së trajnimeve adekuate për përdorimin e këtyre mjeteve ushtarake.
Ndërkaq, për gjendjen e tij mediumi ka tentuar të marrë përgjigje nga kjo Klinikë, por që të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Përgjigje lidhur me problematikën e municioneve dhe mungesën e trajnimeve për mjetet ushtarak nuk ka kthyer as FSK.






