Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar nga ambasadori Petrit Malaj, në prag të shënimit të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka theksuar rëndësinë historike dhe kombëtare të 28 Nëntorit, duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997, si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, transmeton IndeksOnline.
Ai ka vlerësuar se 28 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme për shqiptarët, duke simbolizuar sakrificën, lirinë dhe bashkimin kombëtar.
“28 Nëntori si kryefestë e shqiptarëve që nga viti 1443, për të vazhduar më 28 nëntor 1912 me aktin e shpalljes së Pavarësisë e deri tek 28 nëntori i 1997 me daljen e parë publike të UÇK-së, dhe njëkohësisht ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari, është emocioni më sublim i çdo shqiptari”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se shqiptarët do të vazhdojnë të jenë të bashkuar në angazhimin për të drejtat e tyre.
“Në veprim për të drejtën tonë ishim e do të jemi bashkë gjithnjë”.







